Shqipëria Postuar më 21 Qershor 2026, 10:34

''Nuk duhet përjashtuar detyrimi për të verifikuar faktet''/ Rama: Qeveria e angazhuar për më të mirën e Shqipërisë, natyrës, Zvërnecit dhe flamingot

Nga Alida Lula

''Nuk duhet përjashtuar detyrimi për të verifikuar

Kryeministri Edi Rama reagoi sot në lidhje me protestat kundër investimit në Zvërnec. Në shënimet e e javës, kryeministri tha se qeveria ka pasur në fokus mbrojtjen e natyrës, zonave të mbrojtura, luftën kundër gjuetisë së paligjshme dhe prerjes së pyjeve, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të verifikojnë faktet përpara se të përfshihen në debate apo protesta.

“Prandaj edhe sot ka shumë njerëz që dalin në protesta me bindje të sinqerta, siç ka këtu jo shumë larg nga ku po flas, njerëz që mendojnë sinqerisht që duke dalë në protestë po mbrojnë natyrën, po mbrojnë flamingot, po mbrojnë një pasuri që i përket të gjithëve. Gjithçka është fisnike dhe legjitime dhe meriton shumë respekt si qëllim, por po i mbrojnë nga kush? Po i mbrojnë nga unë, po i mbrojnë nga ne? Që natyrën, mbrojtjen e natyrës, zonat e mbrojtura, ndalimin e gjuetisë së paligjshme, ndalimin e prerjes së pyjeve, i kemi pasur lajtmotiv dhe i kemi lajtmotiv të punës sonë. Dhe prandaj edhe thjesht, thirrja ime është që, me respekt për motivin, nuk duhet përjashtuar detyrimi për të verifikuar faktet. Sepse kur emocioni ushqehet nga gjysmë të vërteta, nga pamje të shkëputura nga konteksti, nga sloganet që qarkullojnë më shpejt se provat, nga një algoritëm që shpërblen gjithmonë atë që trondit, jo atë që shpjegon, atëherë idealizmi, dëshira e sinqertë, nevoja për t’u shprehur në një komunitet, kthehet në instrument, në instrument në duart e atyre që kanë interesa krejt të tjera”, tha Rama.

Ai shtoi se projekti që ka nxitur debatet është ende në fazë zhvillimi dhe se diskutimi duhet të përqendrohet te përmirësimi i tij, jo te kundërshtimi pa u njohur ende plotësisht me përmbajtjen. Rama tha se qeveria mbetet e angazhuar për të bërë më të mirën për Shqipërinë, natyrën, Zvërnecin dhe flamingot, duke kërkuar që debati publik të zhvillohet mbi bazën e fakteve dhe jo të perceptimeve të krijuara nga narrativa të rreme.

“Unë jam këtu, ne jemi këtu për të bërë së bashku më të mirën për Shqipërinë, për natyrën, për Zvërnecin, për flamingot, por ama për të bashkëpunuar me realitetin, jo jashtë realitetit. Për të ndarë së bashku faktet dhe jo për të fluturuar në një territor ku faktet nuk kanë asnjë vlerë. Dhe mbi të gjitha për të diskutuar për një projekt, i cili ende nuk është gati dhe për t’u marrë me mënyrën se si projekti mund të bëhet sa më i shkëlqyer dhe jo për ta rrëzuar, ndërkohë që ai është në lindje e sipër”- tha Rama.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat