Shqipëria Postuar më 14 Tetor 2025, 13:42

“Novatorët, kapital strategjik njerëzor për vendin” - Rama, në Hackathon: Për ju që keni ide, do të ofrojmë mbështetjen tonë të plotë

Nga Ledina Elezi

“Novatorët, kapital strategjik njerëzor për vendin” -

Qeveria shqiptare do të ofrojë më tepër mbështetje për të gjithë të rinjtë që kanë një ide inovatore. Së fundmi, u hap një thirrje për ata që kishin një ide se si inteligjenca artificiale mund të zgjidhë probleme në edukim apo shëndetësi. Nga 161 aplikime, vetëm 21 kaluan fazën e parë.

Në Forumin e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor po mbahet kjo nismë që bashkon krijuesit inovatorë, startup-et, sipërmarrësit, investitorët, politikat publike të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Në hackathon ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

“Ne kemi rënë dakord brenda nesh të çojmë përpara procesin duke hapur dyert e qeverisë për të gjithë inovatorët dhe duke krijuar një hapësirë të përbashkët me bërthamë agjencinë e ekselencës që ne e kemi krijuar para pak kohe dhe që të cilën do ta vëmë në dispozicionin tuaj dhe të gjithë inovatorëve. Kjo do të thotë që duam që startup-et, inovatorët të kenë mundësi të aksesojnë institucionet dhe duke aksesuar institucionet të kenë mundësi të shohin nga afër problematikat, por dhe të shfrytëzojnë të dhënat e tyre, të shfrytëzojnë statistikat e tyre, të shfrytëzojnë të gjithë atë brumë që pastaj është baza e zgjidhjeve përmes inteligjencës artificiale dhe të krijimit të modeleve të inteligjencës artificiale”, theksoi Kryeministri.

Rama u shpreh se novatorët përbëjnë një kapital strategjik njerëzor për vendin.

“Ne kemi sfidën të krijojmë një akselerator shumë të fuqishëm në mbështetje të ministres sonë të inteligjencës artificiale që është vet inteligjencë artificiale dhe natyrisht që ky akselerator do të bazohet tek ju, tek kapitali njerëzor që ne kemi brenda AKSHI-t apo brenda agjencisë së ekselencës dhe me këtë sinergji do të mundohemi që çdo njërit nga institucioneve qendrore t’i zgjerojmë trurin me inteligjencën artificiale. Ky është plani. Duke qenë se këtu në këtë pikë fokusohet edhe ambicia për zhvillime befasuese, atëherë kjo iu bën të gjithëve ju jashtëzakonisht të rëndësishëm. Një kapital strategjik njerëzor për vendin tonë”, tha Rama.

Nga hackathon-i do të zgjidhet vetëm një fitues që do të ndjekë eventin më të famshëm të start up-eve, SLUSH, në Helsinki.

 

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat