Shqipëria Postuar më 27 Maj 2025, 10:22

Njësi speciale për gjurmimin e pasurive të paligjshme - Ngrihet Zyra e Rikuperimit të Aseteve, akses brenda dhe jashtë Shqipërisë

Nga Elisabeta Dosku

Njësi speciale për gjurmimin e pasurive të paligjshme - Ngrihet

Pasuritë e krijuara në mënyrë të paligjshme nga qytetarët shqiptarë do të gjurmohen përmes një strukture të specializuar dhe që do të ngrihet për këtë qëllim.

Zyra e Rikuperimit të Aseteve (ZRA), do të jetë një strukturë e posaçme qendrore që do të ngrihet në  Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, e cila do të jetë përgjegjëse për procesin e gjurmimit dhe identifikimit të të ardhurave, pasurive ose përfitimeve të tjera pasurore që lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi nga një vepër penale ose veprimtari kriminale, të cilat janë ose mund të jenë objekt i një vendimi sekuestrimi apo konfiskimi pas fillimit të procedimit penal.

Projektligji” “Për krijimin e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve”, i hartuar nga Ministria e Brendshme, pas një procesi të gjatë konsultimi publik, është depozituar në Kuvend.

Drafti parashikon që kjo strukturë mund të mund të shfrytëzojë me efektivitet data-bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, mbi subjektet e veprimtarisë kriminale dhe pasuritë e tyre, dhe  të gëzojë pavarësi operacionale.

“Zyra e Rikuperimit të Aseteve” synon të përmirësojë rezultatet e luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe pastrimit të parave në Shqipëri.

Në fushën e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, janë bërë hapa të dukshëm para, që na çoi në heqjen nga Lista Gri. Por sipas draft ligjit, krijimi dhe funksionimi i ZRA lidhet me një serë përparësish që do ti japë zgjidhje disa problemeve të bashkëpunimit të pamjaftueshëm kombëtar dhe ndërkombëtar të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar, në gjetjen dhe identifikimin e aseteve kriminale.

ZRA e shtrin aktivitetin e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Bazuar edhe në bazë të marrëveshjeve respektive ajo vepron edhe jashtë territorit të Shqipërisë.

Sipas dokumentit, me krijimin dhe funksionimin e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve, rriten pritshmërinë për rezultate më të larta në luftën kundër krimit të organizuar dhe pasurive kriminale, pasi do të përmirësohet bashkëpunimi dhe bashkëveprimi ndërinstitucional i strukturave të zbatimit të ligjit në vendin tonë dhe i ZRA në Shqipëri me ZRA-të e huaja, në funksion të kërkimit, gjetjes, identifikimit, sekuestrimit, konfiskimit dhe rikuperimit të aseteve kriminale.

Mendimi juaj

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat