Shqipëria Postuar më 6 Shkurt 2026, 17:22

Një tjetër ish ministër finance në Këshillin Mbikqyrës të BSH, qeveria propozon Ervin Meten

Nga SCAN TV

Një tjetër ish ministër finance në Këshillin

Një tjetër ish ministër i financave pritet të shtohet në Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Qeveria ka miratuar dy kandidaturat e saj të cilat do të votohen në Kuvend. Në listë janë Ervin Mete, ish ministër i financave dhe zonja Jonida Prifti.

Mete do të gjejë në Këshillin e Bankës edhe homologët e tij Anastas Angjeli dhe Ritvan Bode. Ndërkohë një tjetër ish ministër finance ka qenë pjesë e Bordit, por që u shkarkua nga aty, Arben Malaj.

I shkëputur nga politika që prej vitit 2024, Ervin Mete është vlerësuar pozitivisht nga institucionet ndërkombëtare. Gjatë periudhës kur drejtoi Ministrinë e Financave, vendi shënoi ulje të borxhit publik, forcim të disiplinës fiskale dhe ruajtje të stabilitetit makroekonomik, në një kohë kur ekonomitë europiane përballeshin me presione të forta inflacioniste dhe fiskale.

Në të njëjtën periudhë, Shqipëria doli nga lista gri për pastrimin e parave, ndërsa u ndërmorën hapa konkretë për mbylljen e disa kontratave koncesionare, në funksion të uljes së rreziqeve fiskale dhe rritjes së transparencës në financat publike.

Më herët, Mete ka drejtuar Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, institucion përgjegjës për mbikëqyrjen e tregjeve financiare jobankare. Në këtë rol, ai ka pasur përgjegjësi edhe për zhvillimin dhe mbikëqyrjen e tregjeve të kapitalit, ku bankat janë aktorë kyç. Gjatë drejtimit të tij, u shënuan një sërë zhvillimesh pozitive në përafrimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Europian, veçanërisht në fushën e fondeve të investimit, tregjet e kapitalit dhe fondet e pensioneve private, duke modernizuar më tej këto tregje.

Përvoja e tij institucionale përfshin gjithashtu bashkëpunimin e vazhdueshëm me Bankën e Shqipërisë, si në aspektin e koordinimit të politikave fiskale dhe monetare, ashtu edhe në ndërtimin e kuadrit rregullator për tregjet financiare.

Në këtë këndvështrim, propozimi i Ervin Metes si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë shihet si një vijimësi e një eksperience të gjatë në politikat fiskale, mbikëqyrjen financiare dhe proceset integruese, me fokus në stabilitetin e sistemit financiar, funksionimin e tregjeve dhe avancimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor e rregullator me legjilacionin e BE-së..

Aktualisht pritet që Këshilli Mbikqyrës i Bankës të plotësohet me anëtarë të rinj, tre të propozuar nga Kuvendi dhe tre nga Qeveria.

Këtë javë Banka njoftoi se e shtyu vendimarrjen e politikës monetare për shkak se Këshilli Mbikqyrës nuk është i plotë.     

 

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË TË DY ANËTARËVE PËR KËSHILLIN MBIKËQYRËS TË BANKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 44, të ligjit nr.8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të dy anëtarëve për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, si më poshtë vijon:

– Znj. Jonida Prifti;

– Z. Ervin Mete.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat