Shqipëria Postuar më 9 Shtator 2025, 10:17

"Një nga projektet më të mëdha për energjinë e erës” - Zv/kryeministrja Balluku: Do të vendoset në Tropojë, financohet nga kompani amerikane

Nga SCAN TV

"Një nga projektet më të mëdha për energjinë

Zhvillohet dita e dytë e konferencës së ambasadorëve, me temë “Prioritetet ekonomike të Shqipërisë dhe projektet kyçe”.

Gjatë fjalës së saj zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Ekonomisë, Belinda Balluku, u shpreh: “Vendi ynë e ka bazuar prodhimin e energjisë vetëm në burime hidro. Në këto 6 vite kemi arritur të ngrejmë 30% kapacitetet prodhuese të vendit, bazuar në një burim të ri energjetik, siç është dielli.

Në muajt në vijim po përgatitemi për një nga projektet më të mëdha në Evropë të prodhimin energjetik eolik, për parkun e erës të vendosur në zonën e Tropojës, që ka nisur të gjitha procedurat e autorizimeve, e financuar nga një nga kompanitë më të mëdha amerikane.

Kjo vepër do t’i shtojë kurorës tonë energjetike një tjetër komponent të gjelbër. Shqipëria sot është duke punuar për të diversifikuar një portofol të disa burimeve të gjelbra”.

Fjala e Zv.Kryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Diplo 2025

Të nderuar Ambasadorë,

Të dashur kolegë,

Është kënaqësi e madhe që të jem këtu sot dhe për të thënë të drejtën, pavarësisht ngarkesës time, dje e gjeta kohën që të shikoja pasazhe të ndryshme të kësaj konference dhe të dëgjoja me vëmendje ato që u adresuan, duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm që diplomacia ka luajtur gjithmonë, po që veçanërisht luan sot.

Së pari, dua t'ju falënderoj për misionin tuaj fisnik, në çdo cep të botës, për detyrën që kryeni në përfaqësimin me dinjitet të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe përkushtimin me të cilin mbani lart flamurin tonë. Prej vitesh diplomacia ekonomike është kthyer në një kryefjalë të detyrës dhe misionit tuaj, por sot më shumë se kurrë Shqipëria ka nevojë për ju, jo vetëm si përfaqësues diplomatik, por si ambasadorë ekonomikë, si promotor të një vizioni që shkon përtej kufijve tanë.

Dëgjova me vëmendje dje Kryeministrin dhe nuk e mohoj dot faktin se është pjesë e bisedave në tryezat e qeverisë shqiptare diplomacia ekonomike dhe niveli i saj, i cili duhet të ndryshojë. E tha dje Kryeministri që nuk mund të mbetet diplomacia ekonomike, si dëshirë apo vullnet individual i ndonjë ambasadori, apo aftësi karakteriale. Diplomacia ekonomike duhet të qëndrojë në bazë të trupës diplomatike shqiptare, si një nxitje e vazhdueshme pasi sot ju e keni mundësinë për të promovuar një produkt të jashtëzakonshëm, që është Shqipëria. Shqipëria e energjisë së gjelbër, Shqipëria e interkonektivitetit, Shqipëria e kulinarisë, Shqipëria e turizmit, që jam shumë e sigurt që ju ndodh se kudo shkoni dhe uleni, ju flasin për vendin tuaj ndryshe komplet nga ç'ndodhte edhe 5 vite më parë. E për më tepër ju jeni me fat, pa dashur ta involvojë në politikë trupin diplomatik, sepse ju promovoheni nga një kryeministër i cili sot përfaqëson një brand më vete.

Do kthehesha menjëherë tek ato që zëvendësministri tha, për t'ju bërë me dije se çfarë ndodh me infrastrukturën shqiptare, me energjinë shqiptare dhe do të propozoja sot në këtë takim që Ministria e Jashtme, kolegu im Igli, sëbashku me të gjithë ministritë sektoriale ta shikonin nuk do ta quaja trajnim, por briefing-un tuaj në bazë semestrash për t'ju dhënë informacionin e duhur, pasi tashmë ju nuk mjafton që të keni informacion as në fillim të vitit dhe as në fund të tij. Ndryshimet që vendi ynë pëson janë me muaj e shpeshherë dhe me javë.

Ndodhemi në një moment të rëndësishëm historik për vendin, kur Shqipëria tashmë e ulur prej kohësh në tryezën e negociatave është vetëm një hap larg nga ëndrra e saj e madhe që tashmë nuk ka nevojë të quhet ëndërr, se zakonisht ëndrrat nuk kanë as deadline, nuk kanë as roadmap, nuk kanë as kapituj të hapur. Jemi duke folur për një realitet i cili është i prekshëm dhe që çdo ditë e më shumë dëgjojmë nga funksionarët e lartë të Bashkimit Evropian se kemi afër datën kur vendi ynë mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por që të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian, të gjithë ne sëbashku duhet të angazhohemi secili në detyrën e tij për të përmbushur detyra dhe kërkesa që fillojnë nga diplomacia dhe përfundojnë tek shtimi i kapaciteteve të burimeve të rinovueshme.

Shqipëria sot ka një ekonomi të qëndrueshme, Shqipëria sot është duke krijuar një ekonomi konkurruese, moderne dhe mbi të gjitha transparente. Kur mora detyrën më kujtohet që kolegët tuaj, që përfaqësojnë shtetet e tyre në Tiranë, sa herë që takoheshin me ne ministrat, këtu është dhe Mirela dhe mund ta konfirmojë, na flisnin për transparencën, që investitorët e huaj e kishin të vështirë të vinin në Shqipëri, pasi proceset, projektet nuk ofronin transparencën e duhur. Sot Shqipëria mund ta thotë me gojën plot se është një nga vendet më atraktive, jo vetëm për shkak të burimeve që ajo ka dhe nuk i referohem vetëm burimeve natyrore, i referohem kulturës tonë, i referohem burimeve të shumta për të ngritur një industri turistike, por nga ana tjetër, Shqipëria të gjitha këto mundësi investimi i ofron me një kornizë transparence evropiane dhe dëshmi e gjallë e kësaj që po them në këto momente është fakti se në Shqipëri tashmë kompanitë më të mëdha të ekselencës të cilat nisin nga prodhimi i energjisë, siç është Voltalia franceze apo Totali francez dhe deri tek ato amerikane në zë, e duke shkuar më pas tek kompanitë e telekomunikacionit apo kompanitë e përpunimit, janë në vendin tonë falë një politike transparente të administratës publike.

Unë do të thosha që projektet e mëdha sot nuk janë projekte që do të kontribuojnë vetëm në ekonominë shqiptare, janë projekte rajonale të rëndësishme që kontribuojnë në ndërlidhjen e Ballkanit Perëndimor, por nga ana tjetër, duke pasur parasysh pozicionin gjeografik të jashtëzakonshëm të vendit tonë e bëjnë Shqipërinë edhe një port hyrëse përmes Italisë dhe Greqisë në Bashkimin Evropian.

Kemi investuar shumë në vitet e fundit në infrastrukturën rrugore, si një nga infrastrukturat parësore dhe të preferuara nga qytetarët shqiptarë, por edhe nga vizitorët e huaj. Në dhjetëvjeçarin e fundit kemi ndërtuar mbi 1 mijë kilometra rrugë, mbi 30 kilometra tunele, e më shumë se 21 kilometra ura për të ndërlidhur Veriun me Jugun, Lindjen me Perëndimin, për të ndërlidhur Shqipërinë me të gjitha vendet fqinje dhe për të shkurtuar kohët e udhëtimit maksimalisht. E kam thënë pak ditë më parë në një event për turizmin që tek kërkoja shifrat për të parë mbylljen e sezonit në tunelin e Llogarasë, duke qenë se është infrastruktura jonë më e re, për të cilën jemi krenarë dhe që aty dihet që ka një lëvizje shumë të madhe drejt rivierës së jugut, zyra e statistikave më solli shifrat e tunelit të Llogarasë, por më tha do ishte mirë, ministre, që të shikonit shifrat e tunelit të Murrizit. Pasi në vend të parë për këtë verë, me pikun më të lartë të trafikut, ka qenë tuneli i Murrizit. 19 mijë e 50 makina, vetëm në 17 gusht kanë kaluar në drejtim të zonave malore të Dibrës dhe kjo vetëm për shkak të aksesit që është krijuar me ndërtimin e infrastrukturës modern, e krahasuar me 17 mijë e 658 automjete që kanë kaluar në 10 gusht në Llogara. Jam e sigurt që të gjithë ju, ashtu si dhe unë, do mendoni që Llogaraja është zona, pra tuneli me aksesin më të shumtë të automjeteve. Jo. Është veriu i Shqipërisë pikërisht se sot vizitorët e huaj dhe ata shqiptarë kanë mundësi ta aksesojnë përmes infrastrukturës. E tregova këtë histori për herë të dytë, për t'iu bërë sa më të kuptueshme se çfarë dobish sjell infrastruktura. Por, në rastin tuaj, të gjitha këto duhet të ishin si ato storytelling që ne themi kur takohemi me njëri-tjetrin sesa gjatë ishte të vije nga Dibra për 6 orë dhe si mund të shkosh sot në 1 orë e 10 minuta dhe kjo duhet të jetë një mënyrë e vazhdueshme e promovimit të vendit.

Shqipëria po përgatitet për të pasur portin më të madh në rajon, portin e Porto Romanos, një port i ri modern, i cili parashikon që t'i ofrojë shërbim jo vetëm vendit tonë, por edhe dy vendeve të tjera. Porti i Porto Romanos do të jetë i lidhur me portin e thatë të Prishtinës dhe me portin e thatë të Shkupit, duke u kthyer kështu në një port rajonal dhe për me tepër do të ketë dhe një komponent tjetër, që është bashkërendimi i operacioneve midis atyre komerciale nga Autoriteti Portual i Durrësit dhe atyre militare nga Ministria e Mbrojtjes dhe partneriteti me NATO-n.

Shqipëria ka nisur një faqe të re të ndërtimit apo të rijetësimit, të transportit hekurudhor si transporti më modern, miqësor me mjedisin, por edhe me qytetarin, për shkak të kostove. Ne jemi në përfundim të një projekti, që ndoshta nuk ka ndonjë gjatësi të madhe, sepse bëhet fjalë për 40 kilometra. Projekti i parë, i cili lidh Tiranën me Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit dhe më pas me Durrësin, por nga ana tjetër është dallëndyshja e parë, e cila do të bëjë të prekshme të gjithë strategjinë tonë për rivitalizimin e hekurudhës shqiptare, duke vazhduar më pas me një projekt tashmë të përfunduar në aspektin e procedurave, që është ai i Vorë - Hani Hotit, dhe për të vazhduar me të gjitha projektet e Korridorit të VIII nga Durrësi në Rrogozhinë, nga Rrogozhina në drejtim të Pogradecit dhe më pas për daljen në kufi. Korridori VIII është i shoqëruar edhe me autostradat e tij të cilat e lidhin Tiranën përmes Elbasanit, me Pogradecin dhe sigurisht me daljen e re që krijohet në urën e Bushtricës në drejtim të Maqedonisë së Veriut. Korridori i VIII nuk është vetëm një korridor hekurudhor, apo korridor rrugor. Është korridori energjetik i Shqipërisë.

Shqipëria sot ka gjashtëfishuar prodhimin e saj energjetik të gjelbër, duke diversifikuar portofolin e prodhimit me 30% energji të prodhuar nga parqet fotovoltaike. Vendi ynë e ka bazuar gjithmonë prodhimin vetëm në prodhimin hidro, por duke nisur nga 2019 me një strategji të qartë kombëtare, ne kemi arritur që vetëm në këto 6 vite të ngremë 30% të kapaciteteve prodhuese të vendit bazuar mbi një burim të ri energjetik, siç është dielli dhe Shqipërisë nuk i mungon. Por nga ana tjetër, në muajt në vazhdim, ne po përgatitemi për një nga projektet më të mëdha në Evropë të prodhimit energjetik eolik për parkun e erës, të vendosur në zonën e Tropojës, e cila ka nisur të gjithë procedurën e autorizimeve, e financuar nga një nga kompanitë më të mëdha amerikane që do t'i shtojë kurorës tonë energjetike një tjetër komponentë të gjelbër.

Është krenari për ne, kur ulemi në tryezat e negociatave dhe tek dëgjojmë kolegët e vendeve të tjera të kalojnë vështirësitë e tyre të tranzicionit, ne jemi gjithmonë aty duke thënë që Shqipëria po punon, por jo për një tranzicion të gjelbër. Shqipëria sot është duke punuar për të diversifikuar një portofol të disa burimeve të gjelbra. Keni shumë për të promovuar, ndodhemi totalisht në një situatë tjetër. Ambasadorë dhe miq të mirë në këtë sallë, që unë i njoh prej vitesh, i kam parë dikur të vështirësoheshin për të promovuar vendin tonë, por e di që sot e kanë shumë më të lehtë. E gjithë kjo kërkon një organizim molekular, që nuk mund të vijë thjesht nga trupi diplomatik dhe nga Ministria e Jashtme, por dhe nga vetë ministritë sektoriale, të cilat duhet të ushqejnë me informacion të vazhdueshëm trupin diplomatik, për t'i kthyer ata në promotorë të zhvillimit ekonomik shqiptar. Ju jeni sytë dhe veshët e Republikës së Shqipërisë, kudo në botë.

Nga ana tjetër, ju duhet të ktheheni partnerët e ministrive të linjës përsa i përket sjelljes në vendin tonë të sa më shumë investitorëve të huaj. Çdo investim i huaj është një hap më tej i ekonomisë tonë drejt konsolidimit të saj. Është një hap më tej i ekonomisë tonë drejt tregjeve ballkanike. Është lajm shumë i mirë për të gjithë ne që drejtojmë sektorët dhe të gjithë kolegët e tjerë, që tashmë ministri i Jashtëm ka folur konkretisht për planin e krijimit të trupës së atasheve tregtare, të cilët do të jenë në këndvështrimin tim, bashkëpunëtorët tanë të ngushtë në të gjithë këtë rrugëtim të gjatë për promovimin e vendit, për rritjen e kapaciteteve ekonomike edhe padyshim për krijimin e një armate të re profesionistësh.

Do ndaloja vetëm një çast tek diaspora, jo për të përsëritur atë që Kryeministri tha dje për rëndësinë që ajo ka, por do të ndaloja për një moment tek diaspora në një këndvështrim tjetër shumë të rëndësishëm për sektorët tanë. Ne me të vërtetë krenohemi me djem dhe vajza shqiptare, të cilët janë pozicionuar në mënyrën më të shkëlqyer në fushat ku ata kontribuojnë, siç është rasti i Mira Muratit, Igli Tares apo të tjerë, por jo të gjithë janë suksesshëm. Jo të gjithë e kanë jetën e lehtë dhe sinqerisht do t'ju bëja një thirrje nga zemra. Të gjithëve na ka qëlluar që të kemi vështirësi në jetën tonë dhe imagjinojeni për një moment, vendi më i sigurt për t'u kthyer, qoftë dhe për disa orë, është shtëpia e prindërve. Ktheheni ambasadën shqiptare për diasporën tonë në shtëpinë e prindërve, aty ku drita nuk fiket kurrë, aty kur përballesh me vështirësi, e di që shkon dhe troket dhe ajo derë është gjithmonë e hapur dhe aty duket sikur çdo gjë vendoset në paqe. Shikojeni këtë si një mision humanitar, pasi ne jemi shumë në diasporë, disa të suksesshëm dhe disa jo. Disa që kanë ikur dhe nuk kanë informacionin e duhur se çfarë ndodh sot në vendin tonë. E kemi parë këtë në vizitat që kemi bërë gjatë turit në diasporë, njerëz të cilët nuk janë shqiptarë, që nuk janë të informuar që sot industria e ndërtimit në Shqipëri paguhet 3 apo 4-fish punëtori më shumë se ç'paguhet në shtetet fqinje. Shqiptarë të cilët nuk janë të informuar që djemtë dhe vajzat e tyre që flasin gjuhë të huaja, përveç gjuhës së mëmës dhe gjuhës së vendit ku jetojnë mund të punojnë në shërbime këtu në Shqipëri në industrinë e turizmit dhe të paguhen disafish më shumë nga sa paguhen sot atje ku jetojnë. Ju duhet t'i informoni njerëzit tanë, t'i mbështesni dhe t'i mbroni për të pasur dinjitetin e tyre.

Sot Shqipëria është një kantier i madh zhvillimi, ndërtohet kudo, punohet kudo, hotelet janë plotë dhe ajo çka ne dëgjojmë është gjithmonë mungesa e krahut të punës, por kjo është kudo. Kjo është kudo, si në Greqi, si në Itali. Unë dëgjoj të gjithë kolegët e mi që shprehin të njëjtin shqetësim, por ama ne kemi njerëz punëtorë, njerëz të cilët mund të kthehen në Shqipëri për të kontribuar në këtë moment historik për vendin tonë dhe ju mund të jeni pjesë e këtij misioni.

Realisht do desha që të vazhdoja dhe të flisja gjatë për gjitha arritjet tona, por ne i përsërisim shpesh në takime të ndryshme dhe unë e di që ju jeni shumë të vëmendshëm, ndaj kjo nuk është dita për t'u futur në detaje. Kjo është dita ku unë falënderoj Iglin për këtë organizim të shkëlqyer edhe në këtë vend ikonik, do të thoja, siç është Hotel Dajti dhe që na dha mundësi të komunikojmë me njëri-tjetrin dhe të vendosim disa piketa koordinimi, se bashkëpunimi midis nesh sikur ne jemi një familje. Piketa koordinimi për të promovuar më shumë vendin, për t'ju facilituar juve dhe për të ndihmuar të gjithë shqiptarët kudo ata ndodhen.

Unë ju falënderoj për vëmendjen dhe ju them me plot bindje që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është gjithmonë e gatshme ditë e natë t'ju përgjigjet çdo pyetje, çdo kërkese për takim apo edhe ndihme që ju mund të keni nevojë për të kryer misionin tuaj.

Shumë faleminderit!

 

 

 

 

 

 

Shqipëria 9 Shtator Edel Strazimiri

Çfarë ka ndodhur sot në tregun valutor?!

Dollari amerikan ka pasur një rritje të lehtë të kuotës këtë mëngjes por pa ndonjë ndryshim të ndjeshëm në raport me ditën e djeshme teksa është blerë sot me......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat