Shqipëria Postuar më 7 Maj 2026, 10:51

Një aksident, mesatarisht 155 mijë lekë dëmshpërblim - AMF: Kompanitë e sigurimeve vijojnë rritjen e pagesave për dëmet në automjete

Nga Ledina Elezi

Një aksident, mesatarisht 155 mijë lekë dëmshpërblim -

Pas çdo aksidenti rrugor apo dëmi të mbuluar nga polica e sigurimit, shqetësimi i parë për qytetarët mbetet sa para kompenson realisht kompania e sigurimit.

Sipas të dhënave më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), dëmi mesatar që u pagua për një aksident apo ngjarje të siguruar në sigurimet motorike ishte rreth 155 mijë lekë për rast në tremujorin e parë të këtij viti. Kjo shumë përfaqëson kompensimin tipik që kompanitë e sigurimeve paguajnë për riparime apo dëme që lidhen me automjetet.

Megjithatë, shuma ndryshon në varësi të llojit të sigurimit. Për sigurimin Kasko, që mbulon dëmet e vetë mjetit, dëmi mesatar ka arritur rreth 102 mijë lekë për rast, duke shënuar një ulje të ndjeshme krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Ndërsa për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve brenda vendit, dëmi mesatar llogaritet rreth 162 mijë lekë.

Në total, për të gjitha llojet e sigurimeve të jo-jetës, dëmi mesatar i paguar në treg rezulton rreth 110 mijë lekë për rast, pak më i lartë se një vit më parë.

Ndërkohë, nëse shohim totalin e pagesave, kompanitë e sigurimeve kanë paguar rreth 2.1 miliardë lekë dëme gjatë tremujorit, pak më shumë se në tremujorin e parë 2025, kur pagesat arritën rreth 1.9 miliardë lekë. Pra, bëhet fjalë për një rritje shumë të lehtë prej rreth 11%.

Pjesa më e madhe e këtyre dëmshpërblimeve vjen nga sigurimet e jo-jetës, që përbëjnë mbi 93% të totalit, ndërsa sigurimet e jetës zënë vetëm një pjesë të vogël të tregut.

Sigurimi motorik mbetet segmenti kryesor i dëmshpërblimeve, për shkak të numrit të lartë të automjeteve dhe aksidenteve në qarkullim.

Pagesat e dëmeve nga kompanitë e sigurimit janë rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Nga rreth 3.6 miliardë lekë në vitin 2015, ato janë më shumë se dyfishuar, duke arritur mbi 8 miliardë lekë në vitin 2025.

Kjo tregon se roli i sigurimeve në mbrojtjen financiare të qytetarëve dhe bizneseve po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në ekonomi.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat