Shqipëria Postuar më 26 Nëntor 2024, 11:32

Nisin punimet për parkun e madh turistik në Bulqizë - Rama: “Divizioni” do të jetë destinacioni i fundjavës edhe për qytetarët e Tiranës

Nga Ledina Elezi

Nisin punimet për parkun e madh turistik në Bulqizë - Rama:

Në Bulqizë do të ndërtohet një park i madh turistik, i quajtur ndryshe Parku Tematik Retro “Divizioni”, i cili do të transformojë një zonë të degraduar dikur ushtarake, në një destinacion të ri për turistët e huaj, por edhe vendasit. Kryeministri Edi Rama dhe Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ishin sot në Bulqizë për të hapur kantierin për fillimin e punimeve.

Kryeministri Edi Rama theksoi se me ndërtimin e këtij parku, Bulqiza do të kthehet në destinacionin e fundjavës për qytetarët e Tiranës.

“Dibra do të jetë një referencë jo vetëm për turistët e huaj, por për të gjithë banorët e kryeqytetit. Ky park tematik që ne po nisim të ndërtojmë, do të jetë shumë afër Tiranës, 30-35 minuta, dhe pa asnjë diskutim që do të jetë një nga zgjedhjet e fundjavave për shumë familje në Tiranë, për të ardhur këtu, për të sjellë fëmijët e tyre këtu. Në këtë park do të ketë shumë mundësi origjinale për fëmijët, për t'u argëtuar në mes të natyrës dhe nga ana tjetër, ky park do të jetë një motor i ri ekonomie për Bulqizën, e cila është identifikuar historikisht me miniera. Po hyjnë në një fazë të re edhe të administrimit të pronave të ushtrisë, dhe për këtë arsye edhe Ministria e Mbrojtjes po ngre një departament të veçantë për zhvillimin e këtyre pronave, pa hequr dorë nga pronësia e shtetit, e Ministrisë së Mbrojtjes, me qëllim që këto zona të kthehen në asete për zhvillimin e ekonomisë.”

Nga ana tjetër, Balluku u shpreh se në këtë park do të ndërtohen shumë hapësira rekreative, njësi hotelerie dhe shërbimesh.

“Një projekt që synon që të gjitha ndërtesat që na rrethojnë, duke nisur nga kjo që ndodhet pas meje, që do të kthehet në një treg të mirëfilltë modern për të tregtuar të gjitha produktet e zonës së Bulqizës, zonës së Klosit, Matit, pse jo dhe Dibrës, për të treguar se si do të kthehen të githa këto ndërtesa që na rrethojnë, disa prej tyre do të ringrihen nga e para, disa prej tyre do të rikonstruktohen, në njësi hotelerie, një njësi shërbimesh.”

“Divizioni” do të jetë një destinacion turistik mikpritjeje, me treg turistik prodhimesh të zonës, hoteleri dhe shërbime, për ata që do të duan të ndalen kalimthi, apo të qëndrojnë më gjatë në eksplorimin e natyrës së kësaj zone.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat