Shqipëria Postuar më 3 Janar 2026, 12:24

Nisin punimet në Llixhat e Bënjës, Përmet/ Rama: Kushte për të pritur vizitorët në natyrën magjepsëse

Nga Alida Lula

Nisin punimet në Llixhat e Bënjës, Përmet/ Rama: Kushte

Një nga pikat turistike më të vizituara në Përmet, Llixhat e Bënjës i janë nënshtruar një procesi rikualifikimi, që pritet të përfundojë në mars të këtij viti. Punimet, synojnë përmirësimin e shërbimeve, peizazhit turistik si dhe për të krijuar atraksion të zhvillimit të qëndrueshëm.Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale foto nga punimet që po kryhen në këtë pikë turistike që tërheq mijëra vizitorë vendas e të huaj çdo vit.

Llixhat e Bënjës po ndryshojnë pamje e kushte, për të pritur me temena vizitorët e turistët e shumtë në natyrën e tyre magjepsëse”- shkruan kryeministri Rama.

Projekti përfshin ndërhyrje në infrastrukturën rrugore, ndriçimin dhe hapësirat përreth, duke synuar krijimin e një zone të integruar turistike me standarde bashkëkohore. Ky projekt është i ndarë në disa zona, të cilat përfshijnë hapësirën e parkimit, atë të kamperave, hapësira për piknik, një zonë dedikuar shitjes së produkteve lokale e artizanale, zona e vaskave, një amfiteatër i konceptuar për aktivitete, si dhe zonë shërbimesh. Burimet e ujërave termale të Bënjës, apo siç quhen ndryshe llixhat e Bënjës, gjenden 14 kilometra larg qytetit jugor i Përmetit në Njësinë Administrative "Petran". Llixhat janë burime të hapura në natyrë, ku temperatura e ujërave është, 26- 32°C. Ky vend i rrethuar nga një natyrë e paprekur, paraqet një përzierje unike midis historisë aventurës dhe natyrës. Ky atraksion në Përmet është një mundësi më shumë për turistët, që vizitojnë bukuritë natyrore, turizmin kulturor, shëndetësor dhe atë ekologjik.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat