Shqipëria Postuar më 26 Maj 2026, 10:29

Nis zyrtarisht ngritja e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, OBP hap procedurën për konsulencë ndërkombëtare

Nga Scan TV

Nis zyrtarisht ngritja e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, OBP hap

Nis zyrtarisht procedura për ngritjen e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, institucioni i parë financiar zhvillimor me kapital 100% shtetëror në vend. Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP) ka hapur procedurën e prokurimit për përzgjedhjen e kompanisë konsulente që do të asistojë në hartimin e kuadrit strategjik, operacional dhe institucional të bankës së re.

Procedura synon të tërheqë kompani me eksperiencë ndërkombëtare në ngritjen dhe funksionalizimin e institucioneve financiare zhvillimore, me qëllim që Banka Shqiptare e Zhvillimit të bëhet sa më shpejt funksionale dhe operative. Projekti konsiderohet një nga nismat më të rëndësishme të viteve të fundit në drejtim të krijimit të instrumenteve shtetërore për mbështetjen e ekonomisë dhe sipërmarrjes.

Banka Shqiptare e Zhvillimit pritet të ketë rol kyç në financimin e ekonomisë, veçanërisht për bizneset e vogla dhe të mesme, përmes mekanizmave financues me kushte lehtësuese. Një tjetër element i rëndësishëm i projektit është zgjerimi i aksesit në shërbime financiare përmes rrjetit të Postës Shqiptare në të gjithë territorin e vendit, duke synuar përfshirje më të madhe financiare, sidomos në zonat ku shërbimet bankare janë më të kufizuara.

Megjithëse si shoqëri aksionare Banka Shqiptare e Zhvillimit nuk kishte detyrim ligjor për të zhvilluar procedurat e prokurimit përmes organit qendror blerës, ajo ka zgjedhur vullnetarisht t’ia besojë këtë proces Operatorit të Blerjeve të Përqendruara. Ky vendim shihet si një tregues i besimit ndaj standardeve të transparencës, profesionalizmit dhe procedurave të ndjekura nga OBP.

Me nisjen e kësaj procedure, projekti hyn tashmë në një fazë konkrete zbatimi, ndërsa autoritetet synojnë që institucioni i ri financiar të shërbejë si një instrument i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, mbështetjen e investimeve dhe forcimin e sipërmarrjes shqiptare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat