Shqipëria Postuar më 6 Tetor 2025, 13:28

Nis viti i ri akademik 2025-2026 - Kumbaro: Koha të rishikojmë ligjin e arsimit të lartë

Nga Fabjona Pasho

Nis viti i ri akademik 2025-2026 - Kumbaro: Koha të rishikojmë ligjin

Nisi këtë të hënë viti I ri akademik 2025-2026 në të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend, me 19,671maturantë të regjistruar deri më tani. Universiteti i Tiranës mbetet zgjedhja e parë e maturantëve ku priten mbi 11 mijë studentë në të tria ciklet e studimit, ose rreth 60% e numrit total.

Më të preferuarat edhe këtë vit janë parë degët që lidhen me fushën e shëndetit, IT dhe inxhinieritë në përgjithësi të ndjekura nga programet ekonomi-financë. Ndërkohë kuotat në degët e mjekësisë, stomatologjisë, farmacisë dhe arkitekturës janë plotësuar 100%, gjithashtu dhe degët e IT. Kuotat gjithashtu janë plotësuar edhe tek 2 Akademitë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe e Rendit, gjë që tregon interesin e lartë të të rinjve për të ndjekur këto degë.

Risi e këtij viti janë edhe programet e reja studimore me diplomë të dyfishtë, që u jep mundësi studentëve të kenë një bashkëpunim mbarëkombëtar.

Regjistrimet në universitetet publike janë 75%, ndërsa në ato private 25%.

Ministrja e arsimit, Mirela Kumbaro ishte në Universitetin Luigj Gurakuqi në Shkodër, ku u ndal tek politikat e arsimit të lartë me fokus zonën europiane të arsimit dhe kërkimit shkencor, por edhe dyfishimin e investimeve në infrastrukturë dhe mbështetjen e programeve të doktoraturës.

“Me reformën e arsimit të lartë, kemi siguruar cilësinë e institucioneve tona arsimore, ç’ka do të thotë një garanci për diplomën tuaj nesër. Por një dekadë pas asaj shkundje të sistemit, ka ardhur koha për ta rishikuar ligjin e arsimit të lartë, për t’iu përgjigjur sfidave të kësaj kohe.

Standardet e cilësisë do të sigurohen në përputhje me Zonën Europiane të Arsimit dhe të Kërkimit Shkencor, duke bërë që diplomat  tuaja të vlerësohen globalisht, dhe ju të keni më shumë mundësi për mobilitet akademik dhe profesional.

Një simbol i fuqishëm në këtë rrugë është padyshim ngritja e Kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë, që po e kthen kryeqytetin në një qendër të dijes rajonale, e sigurisht shërben si një katalizator për të gjitha universitetet e vendit!

Nga ana tjetër, kam kënaqësi të ndaj një lajm inkurajues, që ka të bëjë me rritjen e dukshme të mbështetjes për kërkimin shkencor. Vetëm nga 2021 në 2024, fondi për kërkimin shkencor është rritur 5 herë, ndërsa ai për infrastrukturën kërkimore pothuajse është dyfishuar.

Vëmendjen do të vijojmë ta kemi në këtë drejtim, pasi synojmë të dyfishojmë investimet për laboratorë modernë, të mbështesim doktoraturat për të rinjtë dhe do të mbajmë të hapur ftesën për kolegët akademikë të diasporës sonë”, u shpreh Kumbaro.

Procesi i regjistrimit do të vijojë deri me 8 tetor, kur përfundon raundi  dytë. Pas kësaj datë do të ketë edhe një javë tjetër regjistrimesh nga data 13 deri më 24 tetor, që konsiderohet raundi I lirë, ku maturantët që kanë mbetur pa një degë mund të regjistrohen të ato fakultet që kanë kuota të lira.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat