Shqipëria Postuar më 25 Gusht 2025, 10:45

Nis shpërndarja e librave falas për 236 mijë nxënës në vend - Rama: Mbështetje e përvitshme për fëmijët dhe familjet e tyre

Nga Ernilda Luzi

Nis shpërndarja e librave falas për 236 mijë nxënës

Ka nisur sot shpërndarja e librave falas për 236 mijë nxënës në të gjithë vendin. Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjete sociale thotë se bëhet fjalë për një mbështetje të përvitshme për fëmijët.

“Dhe me nisjen e shpërndarjes të librave shkollorë falas për 236 mijë nxënës në të gjithë vendin, një mbështetje e përvitshme e Qeverisë për fëmijët dhe familjet e tyre në prag të vitit të ri shkollor, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan kryeministri Rama.

Ky program i mbështetjes së librave falas është i fokusuar për nxënësit që vijnë nga familje me problematika sociale dhe ekonomike, si dhe ata që kanë nevojë për mbështetje të veçantë, përfshirë fëmijët me aftësi ndryshe, si dhe ata nga pakicat dhe minoritetet.

Të gjitha institucionet arsimore janë udhëzuar se si do të veprojnë me mbledhjen apo grumbullimin e teksteve që janë përdorur gjatë vitit të kaluar. Ato kanë ngritur në çdo shkollë një komision të veçantë për vlerësimin e gjendjes se librave.

Shpërndarja e teksteve do të vijojë deri më datë 7 shtator, një ditë përpara nisjes së vitit të ri shkollor. Më datë 8 shtator hapin dyert shkollat në të gjithë vendin për arsimin bazë dhe të mesëm të lartë, ndërsa më 12 qershor 2026 do të përfundojë viti akademik. Për maturantët, viti shkollor mbyllet më 29 maj, pasi nga datat 1–26 qershor do i nënshtrohen provimeve shtetërore. Regjistrimi për klasat e para dhe të dhjeta në e-Albania do të vijojë deri më datë 31 gusht, sipas njoftimit zyrtar nga Ministrisa e Arsimit.

Referuar të dhënave të INSTAT, gjatë vitit shkollor 2024-2025, në arsimin parauniversitar janë regjistruar 405.989 nxënës, ku përfshihen: 65.914 fëmijë në arsimin parashkollor; 250.617 nxënës në arsimin 9-vjeçar;  88,1 % në shkolla publike dhe 48 % e tyre janë vajza.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat