Shqipëria Postuar më 19 Shtator 2025, 12:24

Nis punën qeveria e re/ Kabineti “Rama 4” betohet në Presidencë. Mbledhja e parë, me dyer të mbyllura

Nga Ledina Elezi

Nis punën qeveria e re/ Kabineti “Rama 4” betohet në

Kryeministri Edi Rama dhe kabineti i tij qeveritar prej 16 ministrash janë betuar përpara Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Me aktin e betimit nis zyrtarisht puna e qeverisë për të përmbushur objektivat e përcaktuar në programin e saj gjatë 4 viteve të ardhshme.

I fundit që mbërriti në Presidencë ishte Kryeministri Edi Rama, i cili pas himnit, ishte i pari që bëri betimin, ndjekur nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali, Ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu dhe të gjithë ministrat e tjerë me radhë.

Pas ceremonisë së betimit dhe fotos familjare në shkallët e Presidencës me Kreun e Shtetit Bajram Begaj, ata lëvizën në këmbë drejt Kryeministrisë ku u realizua fotoja e dytë familjare e qeverisë.

Pas kësaj, qeveria ka vijuar me dyer të mbyllura, me mbledhjen e saj të parë.  Në mbledhjen e kabinetit të ri qeveritar mendohet se Kryeministri Edi Rama do të japë disa porosi për ministrat dhe të merren vendimet e para.

Sot nis zyrtarisht zbatimi i programit qeverisës Rama 4, i cili ka në përbërje një sërë objektivash që nisin me rritjen e pagave dhe pensioneve dhe përfundojnë me anëtarësimin në BE në 2030.

Betimi zhvillohet një ditë pas miratimit të programit dhe përbërjes së qeverisë në Kuvend, miratim i cili u bë në nxitim e sipër për shkak të tensioneve që u krijuan pas fjalimit të “Diellës” në Kuvend.

Programi u miratua me 82 vota të shumicës dhe pa pjesëmarrjen e opozitës. Partia Demokratike i dërgoi një letër dje Kuvendit ku kërkonte përsëritjen e seancës plenare gjatë së cilës u miratua programi qeverisës. Sipas Partisë Demokratike, fakti që Diella mbajti një fjalim në Kuvend ishte në kundërshtim me ligjin dhe provokim për opozitën. Kjo kërkesë nuk do të pranohej, duke i hapur kështu rrugë betimit në Presidencë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat