Shqipëria Postuar më 15 Shtator 2025, 10:57

Nis hetimi për tregun e telefonisë celulare - Autoriteti i Kokurrencës fton qytetarët të kontribuojnë

Nga Ernilda Luzi

Nis hetimi për tregun e telefonisë celulare - Autoriteti i

Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare në vend. Subjekt i këtij hetimi janë dy operatorët në tregun kombëtar: Vodafone Albania SHA dhe One Albania SHA, për periudhën kohore që shtrihet nga 1 janari 2022 deri më 25 korrik 2025.

Në kuadër të këtij hetimi, Autoriteti i Konkurrencës fton të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e shërbimeve celularë të bëhen pjesë e procesit duke ndarë shqetësimet, ankesat apo përvojat e tyre lidhur me cilësinë e shërbimit, tarifat, transparencën e ofertave apo praktika të tjera që ata i konsiderojnë problematike.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, ky hetim synon të mbrojë interesat e konsumatorëve shqiptarë, duke garantuar një treg sa më të lirë dhe konkurrent, ku secili përdorues të ketë mundësinë të zgjedhë shërbimin që i përshtatet më shumë, me cilësi dhe me çmime të drejta.

Qytetarët mund të paraqiten fizikisht pranë Autoritetit të Konkurrencës ose të kontaktojnë në mënyrë elektronike në adresën zyrtare të emailit.

Ky hetim është pjesë e angazhimit të Autoritetit për të siguruar një treg të ndershëm, të hapur dhe konkurrues, me cilësi të lartë dhe çmime të arsyeshme, thuhet në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës.

Sipas të dhënave të fundit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), që i referohen tremujorit të parë të këtij viti, numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare sipas kartave SIM ishte rreth 3 milionë e 254 mijë, që përbën një rënie me 4.2% në krahasim me tremujorin e mëparshëm, dhe një rënie me 12.3% në krahasim me tremujorin e parë 2024. Numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare gjatë tremujorit të parë 2025 arriti në rreth 2.4 milionë, që përbën një rënie me rreth 2.2% me tremujorin e fundit 2024 dhe rënie me rreth 1.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat