Shqipëria Postuar më 20 Gusht 2025, 12:31

Ngrihen 3 institucione të reja për sigurinë ushqimore - Forcohet kontrolli. Nga pesticidet, tek OMGJ-të dhe mishi

Nga Elisabeta Dosku

Ngrihen 3 institucione të reja për sigurinë ushqimore - Forcohet

Nga 1 gushti 2027, Shqipëria do të ketë një sistem më të fuqishëm kontrolli ndaj bizneseve që prodhojnë, importojnë dhe tregtojnë produkte ushqimore në vend, duke rritur ndjeshëm sigurinë ushqimore, si një kusht edhe për integrimin në Bashkimin Europian.

Projektligji i ri i hedhur për konsultim publik për “Kontrollet zyrtare” parashikon krijimin e 3 institucioneve të reja që do të jenë përgjegjëse për këtë proces. Konkretisht Institucioni Përgjegjës për Kryerjen e Kontrollit Zyrtar  (IPKZ); Institucioni Përgjegjës për Kryerjen e Aktiviteteve të Tjera (IPAT); Institucioni Përgjegjës për Kryerjen e Kontrollit Zyrtar në pikat e Kontrollit Kufitar (IPKPKK).

Konkretisht IPKZ kryen rregullisht kontrolle zyrtare në të gjithë operatorët, mbi bazë të rriskut dhe me frekuencën të përshtatshme, duke marrë parasysh:  rrisqet e identifikuara që lidhen me: kafshët dhe mallrat; aktivitetet nën kontrollin e operatorëve; vendndodhjen e aktiviteteve ose veprimtarisë të operatorëve; përdorimin e produkteve, proceseve, materialeve ose substancave që mund të ndikojnë në sigurinë e ushqimit, integritetin dhe cilësinë e ushqimit, ose sigurinë e ushqimit për kafshë, shëndetin ose mirëqenien e kafshëve, shëndetin e bimëve ose, në rastin e OMGJ-ve dhe produkteve për mbrojtjen e bimëve, që mund të kenë gjithashtu një ndikim negativ në mjedis.

Po ashtu, kontrolle ndërmerren kur ka informacion që tregon mundësinë që konsumatorët mund të mashtrohen, veçanërisht në lidhje me natyrën, identitetin, vetitë, përbërjen, sasinë, qëndrueshmërinë, shtetin e origjinës ose vendin e prejardhjes, metodën e përpunimit ose prodhimit të ushqimit.

Kontrollet zyrtare kryhen pa njoftim paraprak, përveç rasteve kur njoftimi paraprak është i nevojshëm dhe i justifikuar. Ato fokusohen në çdo proces të biznesit, si  gjurmueshmëria, etiketimi, prezantimi, reklamimi dhe materialet përkatëse të paketimit, duke përfshirë materialet që janë të destinuara të vijnë në kontakt me ushqimin. Drafti përcakton metodat e përdorura për marrjen e mostrave dhe për analizat laboratorike, testet dhe diagnozat gjatë kontrolleve zyrtare.

Projektligji i ri ligji i ri përcakton gjithashtu masa administrative të “kripura”  ndaj abuzimeve që mund të bëhen nga subjektet. Konkretisht  gjobat variojnë nga 100-300 mijë lekë, në rastet kur nuk siguron akses në pajisje, mjete transporti, mjedise dhe vende të tjera nën kontrollin e operatorit të biznesit, sisteme kompjuterike, kafshë dhe mallra, dokumente dhe informacione të tjera relevante.

Si dhe ato maksimale 1- 2 milionë lekë, në rastet kur subjekti kryen aktivitetin në njësi të paregjistruar ose të pamiratuar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat