Shqipëria Postuar më 16 Shtator 2025, 13:21

Nga transporti, te rrjetet transevropiane/ Grupkapitulli 4 lidh reformat kryesore të “Agjendës së Gjelbër”

Nga Ola Mitre

Nga transporti, te rrjetet transevropiane/ Grupkapitulli 4 lidh reformat

Grupkapitulli 4 lidh reformat e transportit të pastër, tregjeve të energjisë, infrastrukturës ndërshtetërore dhe mbrojtjes së mjedisit dhe klimës, që janë shtylla kryesore të “Agjendës së Gjelbër”. Hapja e tij vendos objektiva konkrete për përafrim ligjor, forcim institucionesh dhe projekte investimi me impakt të drejtpërdrejtë në ekonominë dhe cilësinë e jetesës. Kështu, kapitulli 14 “Politika e Transportit” mbulon të gjithë llojet e transportit, nga ai rrugor, hekurudhor, ajror dhe detar me fokus në sigurinë, sigurinë teknike, konkurrencën e ndershme dhe ndërveprueshmërinë. Përafrimi përfshin zbatimin e paketave hekurudhore të BE-së, Single European Sky në aviacion, standardet e sigurisë rrugore, etj. Qëllimi është një sistem transporti i pastër, i sigurt dhe efikas, me struktura të balancuara ndër-modale dhe lidhje më të mira ndërkufitare.

Kapitulli 15, që është “Energjia”, përfshin tregun e brendshëm të energjisë (elektricitet/gaz), sigurinë e furnizimit dhe rezervat emergjente të naftës, eficiencën e energjisë dhe burimet e rinovueshme, si dhe sigurinë bërthamore e rrezatimin. Për këtë kapitull kërkohet rregullator energjetik funksional e i pavarur, ndarje e aktiviteteve të operatorëve, rregulla për tregtimin me shumicë dhe mbrojtjen e konsumatorit, si dhe transpozimi i paketës “Energjia e pastër”. Objektivat janë konkurrueshmëria, siguria e furnizimit dhe mbrojtja e mjedisit.

Kapitulli 21 “Rrjetet Trans-Evropiane (TEN) lidhet me politikat TEN-T (transport) dhe TEN-E (energjia), duke përfshirë krijimin e rrjeteve panevropiane të ndërveprueshme, eliminimin e pengesave dhe përafrimin me standardet apo afatet e procedurave të lejeve për projektet e interesit të përbashkët. Për vendet kandidate kjo do të thotë planifikim i linjave bërthamë dhe të zgjeruara, prioritetizim i investimeve dhe përgatitje për instrumente si Mekanizmi për Lidhjen e Evropës (Connecting Europe Facility), në mënyrë që projektet kombëtare të lidhen me korridoret e BE-së.

Ndërkaq, Kapitulli 27 “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike” përmbyll grupkapitullin 4. Ai është një nga më voluminozët, me qindra akte që përfshijnë legjislacion horizontal, cilësinë e ajrit, menaxhimin e ujërave, mbetjet dhe ekonominë qarkulluese, ndotjen industriale, kimikatet, ndotjen akustike, dhe mbrojtjen e natyrës. Detyrat kryesore janë transpozimi, forcimi i administratave inspektuese, planet e investimeve dhe krijimi i rrjeteve të zonave të mbrojtura.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat