Shqipëria Postuar më 11 Korrik 2025, 10:54

Nga ndihma ekonomike, tek integrimi në punë - Riformatohet skema sociale. Mbështetje me punësim për familjet në nevojë

Nga Ernilda Luzi

Nga ndihma ekonomike, tek integrimi në punë - Riformatohet skema

Në prioritetet e buxhetit afatmesëm 2026- 2028, në fushën e mbrojtjes sociale synohet që numri i familjeve dhe individëve në nevojë që pritet të përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike parashikohet të ulet në 59.000 përfitues në vit për vitin 2028, ndërsa për vitet 2026-2027 parashikohet të ulet me 1000 familje, ku synohet punësimi i anëtarëve në moshë pune të familjeve përfituese.

Numri i përfituesve i kujdestarëve të tyre parashikohet të shkojë në 98 mijë përfitues në vitin 2028 nga 94 mijë përfitues në vitin 2026, në zbatim të skemës së re të vlerësimit të aftësisë së kufizuar, ku synohet krijimi i një sistemi shërbimesh integruese, të cilat kombinojnë pagesat me shërbimet e përkujdesit social. Do t’u sigurohet mbështetje dhe personave nga grupet e pafavorizuara përmes punësimit në ndërmarrjet sociale, ku synohet të punësohen mesatarisht 150 persona çdo vit, me qëllim integrimin në tregun e punës të kategorive të ndryshme të grupeve të pafavorizuara nga pikëpamja sociale dhe ekonomike me një fond mesatarisht prej 80 milionë lekë përgjatë periudhës 2026-2028.

Referuar dokumentit, rritja e numrit të personave të punësuar në ndërmarrjet sociale ne raport me numrin e anëtarëve në moshë pune në skemën e ndihmës ekonomike synohet të rritet në 5% në vitin 2028.

Po kështu, si prioritet i qeverisë do të mbështetet fondi social për njësitë e vetëqeverisjes vendore për ofrimin e shërbimeve të reja sociale territoriale për grupet në nevojë dhe mbështetjen e familjeve me paketa sociale shëndetësore, duke synuar ofrimin e 95- 115 shërbime në bashkitë e vendit, me një fond mesatarisht prej 400-450 milion lekë përgjatë periudhës 2026-2028. Po kështu, parashikohet të përfitojnë 61 njësi të vetëqeverisjes vendore në vitin 2027 nga 43 NJVQVV që parashikohen të përfitojnë në vitin 2025.

Në programin buxhetor afatmesëm 2026- 2028, theksohet se do të financohet politika për mbrojtjen e veçantë nga shteti për gratë e papuna, me tre apo me shumë fëmijë të moshës deri në 18 vjeç, ku njëri prej fëmijëve është nën moshën 5 vjeç dhe familja ka të ardhura nën 100.000  lekë në muaj. Periudha e kujdesit ndaj fëmijës deri në moshën 5-vjeçare njihet si periudhë sigurimi, për efekt përfitimi pensioni pleqërie dhe barrëlindjeje, duke synuar të përfitojnë 8.700 gra në vitin 2028 nga 8.300 gra që janë parashikuar në vitin 2025, me një fond mesatarisht rreth 850 milion lekë përgjatë periudhës 2026-2028.

Gjithashtu synohet, rritja e grave dhe vajzave në nevojë te riintegruara pas trajtimit në institucionet e përkujdesit social në 55 gra dhe vajza në vitin 2028 nga 47 gra/vajza që parashikohen në vitin 2025.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat