Shqipëria Postuar më 11 Shkurt 2026, 12:53

Nga modeli i lirë, tek produktet Premium - “Made in Albania”, 3 shtyllat e transformimit të eksporteve

Nga Elisabeta Dosku

Nga modeli i lirë, tek produktet Premium - “Made in Albania”, 3

Eksportuesit shqiptarë po vijojnë të përballen me humbje të mëdha për shkak të zhvlerësimit të euros, të cilat vlerësohen në rreth 15–25% të të ardhurave për shumë biznese, ndërsa nga ana tjetër kostot në lekë vazhdojnë të rriten.

Referuar një analize të bërë nga ALTAX, për të ndihmuar eksportuesit dhe fuqizuar markën “Made in Albania”, sugjerohet hartimi me urgjencë i një Strategjie Kombëtare për Eksportet 2026–2036.  Në analizë sugjerohet kalimi nga modeli i lirë dhe i thjeshtë në produkte premium, ndërtim të markës 'Made in Albania',  diversifikim tregjesh dhe mbështetje reale për eksportuesit.

Konkretisht sugjerohet që strategjia të përqendrohet në tre shtylla kryesore.

Sipas analizës, shtylla e parë e një strategjie kombëtare për eksportet duhet të jetë ndërtimi i një arkitekture financiare gjithëpërfshirëse, që nuk synon vetëm zbutjen e humbjeve të menjëhershme nga luhatjet valutore, por gjithashtu fortifikon bazën strukturore të sektorit prodhues. Një ndër metodat janë “kontratat forward” me bankat vendase, të cilat i mundësojnë eksportuesit të fiksojnë kursin e këmbimit për pagesat që do të marrin pas disa muajsh. Me këtë mekanizëm, forcohet likuiditeti dhe shmang rrezikun strukturor, duke e bërë sektorin e eksporteve shumë më pak vulnerabël dhe më pak të kërcënuar për qëndrueshmërinë e financave të tij.

Por paralelisht sugjerohet marrja e masa të synuara dhe të drejtpërdrejta, siç janë lehtësitë tatimore për ata eksportues që zgjedhin të investojnë në teknologji dhe automatizim, duke i bërë kompanitë më konkurruese dhe më rezistente ndaj presioneve të kursit; kredi të favorshme në lekë, me norma të ulëta preferenciale, që reduktojnë koston e kapitalit; por dhe subvencione për certifikime dhe standarde europiane, si ISO apo CE, që fuqizojnë markën shqiptare në tregjet ndërkombëtare, duke e bërë të njohur për cilësi dhe besueshmëri.

Shtylla e dytë fokusohet në politike rregullatore, me qëllim transformimin nga mbrojtje pasive drejt produktivitetit aktiv. Në këtë pikë sugjerohet reduktimi i kostove administrative, thjeshtim i procedurave administrative dhe kalimi nga modeli klasik me kosto të ulët i prodhimit drejt produkteve premium, përmes prodhimeve me vlerë të shtuar dhe certifikimeve europiane.

Shtylla e tretë është integrimi në BE dhe shndërrimi i aksesit në fondet e BE-së si IPAIII apo Planin e Rritjes si një mundësi për të rindërtuar modelin e eksporteve shqiptare dhe shndërrimin e sfidave valutore në një avantazh strategjik.

Për të ndërtuar këtë strategji propozohet krijimi i Këshillit Kombëtar për Politikat e Eksportit i cili të përfshijë si aktorë qeverinë, Bankën e Shqipërisë dhe Eksportuesit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat