Shqipëria Postuar më 10 Shtator 2025, 10:58

Nga krimi në shërbim të grupeve vulnerabil/ AAPSK prezanton projektin “PUBLIK” – Një hapësirë arti dhe edukimi në një pronë të konfiskuar

Nga SCAN TV

Nga krimi në shërbim të grupeve vulnerabil/ AAPSK prezanton

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) shpall hapjen e projektit “PUBLIK”, një iniciativë e veçantë që shndërron një hapësirë të konfiskuar nga krimi i organizuar në galeri arti, qendër komunitare dhe hapësirë edukimi artistik e teknologjik. Ky projekt, i pari i këtij lloji në Shqipëri dhe ndër më të veçantët në rajon, është në linjë me filozofinë dhe objektivat e AAPSK për të rikthyer në dobi të publikut pasuritë e krimit.

Fokusi i projektit shkon përtej artdashësve. PUBLIK i kushtohet veçanërisht grupeve më vulnerabël të shoqërisë – fëmijëve të policëve të rënë në detyrë, grave viktima të dhunës dhe trafikimit, të rinjve të ekspozuar ndaj kulturës incel, personave me aftësi ndryshe dhe komuniteteve të margjinalizuara. Çdo artist që ekspozon në PUBLIK angazhohet njëkohësisht në punë krijuese me një kategori vulnerabël, duke e kthyer artin në mjet fuqizues dhe shërues.

Në partneritet me Ministrinë e Arsimit, projekti do të ofrojë gjithashtu programe edukative për shkollat, duke integruar artin në përvojën e hershme të fëmijëve dhe duke ndërtuar ura të reja mes edukimit dhe kulturës.

Kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, me nënshkrimin e marrëveshjes me drejtuesit e projektit, theksoi rëndësinë e këtij transformimi:

“Ky projekt është një tjetër shembull domethënës i misionit tonë – të kthejmë pasuritë e konfiskuara nga krimi në shërbim të qytetarëve. Kjo është një nismë e veçantë, pasi bashkon artin me përfshirjen dhe integrimin e grupeve vulnerabël të shoqërisë dhe është projekti i parë i këtij lloji që implementohet në Shqipëri.”

Hapja e parë e PUBLIK do të zhvillohet në tetor 2025, nën drejtimin e artistes Blerta Kambo, me një ekspozitë dhe aktivitete të dedikuara për komunitetin. Projekti është konceptuar si një nismë afatgjatë, që synon të zgjerohet edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, duke e kthyer përdorimin social të pasurive të konfiskuara në një instrument të fuqishëm transformimi dhe emancipimi shoqëror.

Nga krimi në shërbim të grupeve vulnerabil/ AAPSK prezanton

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat