Shqipëria Postuar më 4 Shkurt 2026, 12:56

Nga bota akademike, sistemi bankar dhe ligjet - Kandidatët për tre vende në Këshillin Mbikëqyrës të BSH

Nga Diamila Leka

Nga bota akademike, sistemi bankar dhe ligjet - Kandidatët për tre

Procesi i përzgjedhjes së tre anëtarëve të rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë është përmbyllur me seancën dëgjimore në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, ku kandidatët kanë paraqitur përvojën, prioritetet dhe vizionin e tyre për institucionin qendror financiar të vendit. Lista përfshin emra nga bota akademike, sistemi bankar, mbikëqyrja financiare dhe fusha ligjore me një moshë mesatare rreth 45 vjeç.

Pedagogët e Fakultetit të Ekonomisë, Adela Karapici dhe Matilda Shehu, vunë theksin te edukimi financiar, komunikimi i thjeshtuar me publikun dhe forcimi i pavarësisë institucionale. Karapici e cilësoi bankën qendrore si institucion besueshmërie për qytetarët, ndërsa Shehu theksoi prioritetet në ESG, mbrojtjen e konsumatorit dhe edukimin financiar të diferencuar.

Nga fusha e mbrojtjes së konsumatorit dhe ligjit, Saimir Muçmataj, drejtues pranë AMF, solli në vëmendje përvojën në hartimin e akteve dhe kuadrit rregullator të Bankës së Shqipërisë, si dhe eksperiencën në struktura mbikëqyrëse. Edhe Holta Zaçaj, ish-kryetare e Gjykatës Kushtetuese, theksoi kontributin ligjor dhe institucional, si dhe përvojën me institucione ndërkombëtare.

Kandidatë me profil financiar dhe bankar ishin të shumtë. Arben Zibri, analist financiar, foli për forcimin e analizës makroprudenciale, konkurrencën dhe inovacionin digjital. Erjona Bejleri paraqiti eksperiencën 23-vjeçare në sektorin bankar me fokus te mbikëqyrja moderne. Elton Korbi, me dy dekada në financë dhe sigurime, vuri theksin te stabiliteti, modernizimi dhe besimi publik.

Eksperiencë të gjatë në analizë risku dhe hetim financiar paraqiti Liljana Mamadhja, eksperte financiare pranë SPAK, e cila nënvizoi paanshmërinë dhe integritetin institucional. Violeta Staka, aktualisht anëtare e bordit mbikëqyrës, kërkon një mandat të ri me fokus stabilitetin dhe vendimmarrjen e bazuar në ligj dhe analizë.

Në drejtim të zhvillimeve teknologjike dhe pagesave, Luljeta Minxhozi dhe Merita Bejtja u ndalën te sfidat e zbatimit të kuadrit europian të pagesave dhe integrimi në SEPA, si hap për transferta më të shpejta dhe përfshirje digjitale. Edhe Ingrid Konomi propozoi rritje të transparencës përmes platformave digjitale dhe raportimit në kohë reale për publikun dhe konsumatorin.

Nga ana tjetër, Eni Xheko paraqiti përvojën në borde drejtuese, me fokus pavarësinë, lidhjen me ekonominë reale dhe transparencën. Emis Cerava theksoi kombinimin e eksperiencës bankare, akademike dhe në politikbërje, me vëmendje te kreditimi i sektorëve kyç. Fatmira Kola dhe Aleksandër Çavo u ndalën te përgjegjësia institucionale dhe qëndrueshmëria e sistemit financiar në kushtet e transformimit teknologjik.

Kandidatë me lidhje të drejtpërdrejtë me Bankën e Shqipërisë janë edhe Selami Xhepa dhe Pajtim Melani, të cilët vunë në dukje përvojën e mëparshme në bankën qendrore dhe nevojën për forcim të rolit mbikëqyrës dhe mbrojtjes së konsumatorit.

Procesi i përzgjedhjes pritet të vijojë me vlerësimin e kandidaturave dhe përzgjedhjen e tre prej tyre për të qenë anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat