Shqipëria Postuar më 16 Shtator 2025, 09:51

Negociatat për ‘Agjendën e Gjelbër’ në Bruksel, Rama: E dimë që ka sfida por nuk ka rrugë tjetër

Nga Scan TV

Negociatat për ‘Agjendën e Gjelbër’ në Bruksel,

Kryeministri Rama ndodhet në Bruksel për hapjen e 4 kapitujve, ku menjëherë pas takimit ai po mban një konferencë së bashku me Komisioneren Europiane për Zgjerim Marta Kos dhe Ministren e Çështjeve Europiane Marie Bjerre.
Të dyja drejtueset shprehën meritata për progresin e vendit në një kohë kaq të shkurtër.

“Kjo konferencë dëshmon se zgjerimi po ecën përpara dhe tregoi se reformat e vërteta sjellin rezultatet e vërteta.
Shqipëria ka treguar se e shikon të ardhmen në Evropë. Nuk jemi ende në linjën e finishit, ka ende shumë punë përpara nesh, por sot është një gur kilometrik. Danimarka do bëjë gjithçka është e mundur për ta çuar përpara zgjerimin,” – u shpreh Bjerre.

Ndërsa Kryekomisionerja vlerësoi punën e qeverisë dhe theksoi se reformat nuk janë të lehta.
“Kjo është hera e katërt që çelim një grup brenda mandatit tim, duke e çuar në 5 numrin e grupkapitujve dhe 28 kapitujt e hapur. Ky është rezultat i punës së institucioneve shqiptare. Ne e dimë që reformat që kërkojmë nuk janë të lehta, por vendi juaj po tregon që kjo mund të bëhet dhe se BE-ja e shpërblen këtë ndryshim pozitiv. Vazhdoni duke përfshirë parlamentin, shoqërinë civile dhe sektorin privat, sidomos në reforma si gjyqësore, çështjet e korrupsionit dhe të drejtat e pakicave. Në momentin që ne do çelim të gjithë kapitujt, do vazhdojmë me përmbylljen e tyre, për të përmbushur ambicien tuaj për t’i mbyllur brenda vitit 2027.

Grupkapitulli 4 përfshin fusha kyçe si tranzicioni i gjelbër, mbrojtja e mjedisit, energjia e pastër, ndërlidhja e qëndrueshme e transportit. Hapja e kapitujve të sotëm do të ndihmojë në rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët shqiptarë,” – theksoi Kos.

Ndërkohë Kryeministri u shpreh me padurim për hapjen e grupkapitullit të fundit, duke shprehur se qytetarëve tani nuk do t’u mohohen më liritë e tyre.

“Presim me padurim hapjen e grupkapitullit të fundit, deri në fund të këtij viti. Ne e dimë që ka sfida, por e dimë edhe që nuk ka asnjë rrugë tjetër. Kjo është hera e parë për ne në histori që zgjedhim lirisht me kë duam të martohemi: me perandorinë e vlerave, sigurisë, të drejtave. Më së fundmi qytetarët tanë do sigurohen se të drejtat dhe liritë e tyre nuk do t’u merren nga askush që vjen më pas, “-shprehu Rama.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat