Shqipëria Postuar më 5 Shtator 2025, 11:09

Në Rinas zbritën 7.83 mln pasagjerë në 8 muaj - Rritje me 8%. Numri i fluturimeve arriti në mbi 47 mijë

Nga Hamit Yzeiraj

Në Rinas zbritën 7.83 mln pasagjerë në 8 muaj - Rritje me

Përgjatë 8 muajve të parë të vitit, në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës janë regjistruar 7.83 milionë pasagjerë të ardhur. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ky numër është rritur me rreth 8%. Ndërkohë, numri i fluturimeve të kryera deri më tani ka arritur në 47,462.

Muajt e verës kanë qenë më të ngarkuarit, periudha kur aeroporti “mbytet” nga pasagjerët. Vetëm gjatë një dite, mesatarisht janë ulur ose janë nisur rreth 43 mijë udhëtarë, ndërsa numri i avionëve që kanë zbritur ose janë ngritur nga pista ka arritur në 258 çdo ditë.

Rritja lidhet jo vetëm me fluksin e turistëve të huaj, por edhe me shqiptarët që kanë zgjedhur të udhëtojnë drejt destinacioneve të reja të hapura këtë verë, si Nantes, Bordeaux dhe Lisbona. Megjithatë, qytetet italiane vijojnë të mbeten më të preferuarat për udhëtarët shqiptarë, sidomos Milano, Roma dhe Bolonja. Përveç tyre, një volum i madh pasagjerësh është regjistruar edhe drejt Londrës dhe Vjenës.

Ndërkohë që në rajon Aeroporti i Tiranës ka shënuar rritjen më të lartë të pasagjerëve pas periudhës së pandemisë me një rritje prej 152% duke lënë pas Malin e Zi që ka rritur flukset e saj me 34%.

Në të njëjtën kohë që Tirana po thyen rekorde pasagjerësh, pritet që një pjesë e flukseve të shpërndahet edhe në Aeroportin e Vlorës. Ky i fundit pritet të bëhet funksional vitin e ardhshëm, me 12 destinacione të reja në plan dhe një kapacitet pritjeje prej rreth 600 mijë pasagjerësh vetë, nga një prej kompanive ajrore low-cost. Disa prej kompanive ajrore ndodhen tashmë në fazat e fundit të negociatave për të lidhur kontratat e para.

Aeroporti i Vlorës, është e pajisur me një pistë 3.2 kilometra të gjatë dhe më një terminal rreth 20 mijë katrorë ku ministria e Infrastrukturës dhe ajo e Financave parashikon fluks të lartë pasagjerëh që vitin e parë të operimit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat