Shqipëria Postuar më 27 Shtator 2025, 11:22

Në “lupë” ndërtimet me fonde publike - Muçaj: Të jenë subjekte shembullore, do të penalizohen për leje zhvillimore

Nga Diamila Leka

Në “lupë” ndërtimet me fonde publike - Muçaj:

Inspektorati Shtetëror i Punës ka vendosur në fokus sektorin e ndërtimit, duke nisur një fushatë të thelluar inspektimesh në të gjitha projektet që financohen me fonde publike. Kryeinspektori Eljo Muçaj thekson se këto subjekte duhet të respektojnë rregullat strikte të sigurisë në punë dhe të garantojnë formalizimin e marrëdhënieve të punës.

“Prioritet do të ketë sektori i ndërtimit. Aktualisht që flasim ne jemi në zbatim të një urdhri ministrit ku ne do të inspektojmë në mënyrë të detajuar, të gjithë ato subjekte apo projekte që po zhvillohen me para publike. Kjo do të thotë që ato subjekte, të cilat përfitojnë fonde publike, duhet të jenë subjekte shembullorë ose duhet të jenë në përputhshmëri të plotë me protokollin e sigurisë dhe me çështje që lidhen me formalizmin e marrëdhënies së punës.”

Kryeinspektori paralajmëron masa të rrepta në rast të evidentimit të shkeljeve të përsëritura deri në penalizimin në të ardhmen për leje zhvillimore si dhe aplikime për punë publike.

“Në rast nëse do të evidentohen shkelje të përsëritura në këto subjekte, ndaj tyre do të merren masa të cilat do të ndikojnë edhe në të ardhmen përsa i përket përfitueshmërisë së tyre të fondeve publike, dhe kontratave me shtetin shqiptar. Me paratë publike nuk mund të prodhojnë aksidente, apo marrëdhënie informale pune. Dhe kjo do të jetë në vazhdim.”

Përveç ndërtimit, Inspektorati synon të luftojë informalitetin në të gjithë sektorët e tjerë ekonomikë, në bashkëpunim me institucionet dhe autoritetet përkatëse.

“Siguria në punë do të jetë e shtrirë në të gjithë sektorin e ndërtimit, dhe informaliteti do të jetë i shtrirë në të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë, ku ne vlerësojmë në bazë të analizave tona, ku ka një prezencë të lartë, të papranueshme të informalitetit dhe kjo do të bëhet në bashkëpunim me institucionet tjera dhe me autoritetet e tjera.”

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat