Shqipëria Postuar më 30 Korrik 2025, 12:19

Në lek apo në euro, si i ruajnë paratë shqiptarët? BSH: Depozitat në valutë, me rënie në qershor. Faktor, zhvlerësimi i monedhës evropiane

Nga Ledina Elezi

Në lek apo në euro, si i ruajnë paratë shqiptarët? BSH:

Pas tre muajsh rënieje, duket se depozitat e përfshira në paranë e gjerë, i janë rikthyer sërish rritjes. Sipas të dhënave të sapopublikuara nga Banka e Shqipërisë, vlera e depozitave të përfshira në paranë e gjerë pësoi një rritje të lehtë me 0.3% në krahasim me majin. Konkretisht, në fund të muajit të kaluar, totali i depozitave ishte gati 1.39 trilionë lekë.

Depozitat e përfshira në paranë e gjerë i referohen të gjithë parave që qytetarët dhe bizneset mbajnë në bankë, pra paratë në llogaritë bankare, në llogari kursimi, në depozita afatshkurtra ose afatgjata dhe të tjera.

Nëse i referohemi monedhës, depozitat në valutë kapin vlera më larta se ato në lekë. Pra, shumica e parave tona në bankë rezultojnë të jenë në monedhë të huaj. Megjithatë, në krahasim me majin, kursimet në monedhë të huaj kanë pësuar rënie. Zhvlerësimi i euros ka shtyrë shumë qytetarë që të largohen nga mbajtja e  kursimeve në monedhën evropiane dhe të zgjedhin më tepër depozita në lekë. Gjithashtu, normat e interesit për depozitat në euro kanë qenë shumë të ulëta.

Depozitat në monedhën kombëtare llogariten në 655 miliardë lekë, 1.5% më shumë se në maj. Ndërkohë, depozitat në valutë kapin një shifër prej 733 miliardë lekësh, një vlerë kjo rreth 0.7% më e ulët se në muajin pararendës.

Ndërkohë, të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se depozitat e transferueshme, të cilat i referohen parave që ne mbajmë në llogaritë tona bankare, vijojnë të jenë në shuma më të larta, ndjekur më pas nga depozitat pa afat dhe llojet e tjera të depozitave.

Depozitat e transferueshme në lekë kanë arritur në 381 miliardë lekë në maj, ndërsa ato në valutë kanë zbritur në 360 miliardë lekë. Nga ana tjetër, depozitat pa afat dhe depozitat e tjera në lekë rezultojnë me një rritje të lehtë.

Ndërkohë, për sa i takon depozitave në valutë të përfshira në paranë e gjerë, shifrat flasin për një rritje të depozitave me likuiditet të lartë (depozitat pa afat) dhe rënie të llojeve të tjera të depozitave.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat