Shqipëria Postuar më 2 Shkurt 2026, 11:43

Në Kuçovë do të ngrihet Muzeu i Naftës dhe Aviacionit - Hapet tenderi për projektimin e muzeut e rikualifikimin e qendrës

Nga SCAN TV

Në Kuçovë do të ngrihet Muzeu i Naftës dhe Aviacionit

Kuçova pritet të hyjë në një fazë të re transformimi urban dhe kulturor. Qyteti i naftës dhe aviacionit po përgatitet të rikthejë historinë e tij në qendër të vëmendjes publike, përmes ndërtimit të një Muzeu të Naftës dhe Aviacionit dhe rikualifikimit të bulevardit kryesor dhe sheshit përpara Bashkisë. Projekti synon jo vetëm ruajtjen e kujtesës historike, por edhe krijimin e një hapësire të re qytetare, edukative dhe turistike, që i jep Kuçovës një rol të ri në hartën kulturore të vendit.

Në këtë kuadër, Bashkia Kuçovë ka hedhur zyrtarisht hapin e parë drejt realizimit të këtij projekti  duke hapur procedurën e prokurimit për studim–projektimin e dy ndërhyrjeve kryesore.

Sipas dokumenteve të projektimit, muzeu i ri do të ndërtohet si një strukturë moderne dhe bashkëkohore, që ndërthur tre shtylla kryesore të identitetit të qytetit: aviacionin, me Kuçovën si bazë historike ajrore; naftën, si themel i zhvillimit industrial të zonës; dhe jetën urbane e sociale, nga periudha e Mbretërisë deri në ditët e sotme. Objekti parashikohet të shtrihet në një truall rreth 9 mijë metra katrorë, me salla ekspozitash, hapësira edukative, arkivë digjitale, ambiente sociale dhe një shesh të jashtëm për aktivitete kulturore. Muzeu synon të jetë jo thjesht një godinë ekspozimi, por një pikë referimi për edukimin, turizmin dhe identitetin qytetar.

Paralelisht me muzeun, projekti përfshin edhe rikualifikimin e bulevardit qendror të Kuçovës, me gjatësi rreth 250 metra, si dhe transformimin e sheshit përpara Bashkisë në një hapësirë komunitare funksionale. Ndërhyrja synon përmirësimin e trotuareve dhe gjelbërimit, rritjen e sigurisë për këmbësorët, kthimin e pjesshëm të bulevardit në zonë pedonale dhe krijimin e një sheshi të përshtatshëm për evente, panaire dhe aktivitete qytetare.

Projekti konsiderohet një ndër investimet më të rëndësishme urbane dhe kulturore për Kuçovën, me synimin për të ringjallur jetën publike, për të forcuar identitetin historik të qytetit dhe për ta kthyer qendrën urbane në një hapësirë më të gjallë, më të aksesueshme dhe më tërheqëse për banorët dhe vizitorët.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat