Shqipëria Postuar më 11 Nëntor 2024, 11:23

“Në dhjetor, negociatat për grupkapitullin e 6-të” - Hasani: Rritet me 20% buxheti për punët e jashtme. Digjitalizohet shërbimi konsullor

Nga Ledina Elezi

“Në dhjetor, negociatat për grupkapitullin e 6-të” -

Viti 2024 ka qenë një vit i rëndësishëm për Shqipërinë, pasi u shënua hapja e negociatave për grup kapitullin e parë të legjislacionit evropian. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka për synim që deri në fund të këtij viti të mbahet konferenca e tretë ndërqeveritare për hapjen e grup kapitullit të gjashtë që ka të bëjë me politikën e jashtme dhe deri në fund të 2025 të hapen të gjithë grup kapitujt e acquis së BE.

Në Komisionin për Çështjet Europiane, Ministri Igli Hasani dha detaje mbi prioritetet e projekt buxhetit 2025 lidhur me shërbimin e jashtëm.

“Ky buxhet që arrin shifrat e 3.8 miliardë lekëve është më i madhi në historinë e shërbimit të jashtëm dhe do të financojë një sërë iniciativash kyçe, duke përfshirë mbështetje të fortë për funksionimin e misioneve diplomatike dhe konsullore, si dhe angazhimin tonë në nismat rajonale dhe në programet e Bashkimit Evropian, për ta përmbyllur këtë hapje të grup kapitujve deri në fund të vitit të ardhshëm. Investimet për vitin 2025 përfshijnë projekte inovative, si modernizimin e shërbimit konsullor online dhe të sistemit e-visa që do të përmirësojnë shërbimet për qytetarët shqiptarë jashtë vendit. Po ashtu, mbështetja për diasporën shqiptare është një prioritet i veçantë.”

Hasani u ndal edhe në procesin e regjistrimit të emigrantëve për të votuar në zgjedhjet elektorale të vitit të ardhshëm.

“Krijimin e një procesi regjistrimi online, për të gjithë shqiptarët që dëshirojnë ta bëjnë këtë dhe kemi parashikuar një zë prej 85 milionë lekësh për këtë zë. Kemi mundësuar në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme që të ndahet procesi i aplikimit për pasaportat me kartat e identitetit dhe qytetarët shqiptarë kudo që janë, ku ofrohet kjo mundësi, të jenë në gjendje që të marrin vetëm një nga produktet, mos t'i marrin të dyja, në mënyrë që të përgatiten për çdo moment për nevojat e tyre, por dhe me qëllimin, pse jo të votojnë, me dokumenta të vlefshëm në momentin e duhur.”

Grup kapitulli i gjashtë mbi politikën e jashtme pritet të jetë më i lehti për Shqipërinë dhe ai që do të mbyllet i pari, pasi 99% e politikës së jashtme të Shqipërisë është e linjëzuar me Bashkimin Evropian.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat