Shqipëria Postuar më 4 Shtator 2026, 10:52

Në 19 vite, 285 mijë qytetarë legalizuan shtëpitë/ Refuzohen 6 mijë aplikime. Procesi përfundon në 2028-ën

Nga Elisabeta Dosku

Në 19 vite, 285 mijë qytetarë legalizuan shtëpitë/

Pavarësisht se ka vite që ka nisur, procesi i legalizimit të ndërtimeve informale konsiderohet si një proces kompleks dhe afatgjatë, i kushtëzuar nga numri i lartë i aplikimeve të paraqitura nga qytetarët duke filluar që nga viti 2005, si dhe nga natyra e ndërlikuar tekniko-ligjore e këtij procesi.

Në këtë kontekst, legalizimi përbën gjithashtu një komponent thelbësor në përmbylljen e procesit të regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme, i cili, në përputhje me Ligjin nr. 20/2020, parashikohet të përfundojë brenda vitit 2028.

Referuar të dhënave zyrtare nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, gjatë periudhës 2006–2025, pra në një hark kohor prej 19 vitesh,  Drejtoritë Vendore të ASHK-së kanë kryer verifikimin teknik dhe ligjor të aplikimeve për legalizim, duke përfunduar me 291,114 vendime përfundimtare, dhe 6,082 aplikime të skualifikuara, për shkak të mosplotësimit të kritereve ligjore.  Pra e thënë ndryshe, në këtë periudhë janë legalizuar mbi 285 mijë ndërtesa informale.

Megjithatë këto të dhëna konsiderohen si objekt përditësimi dhe ndryshimi në vijimësi, për disa arsye kryesore, pasi ekziston ende një numër i konsiderueshëm objektesh informale që përmbushin kriteret ligjore për legalizim, por për të cilat nuk është paraqitur aplikim nga subjektet përkatëse.

Dhe nga ana tjetër, në raste të ndryshme janë evidentuar aplikime të përsëritura për të njëjtin objekt, të paraqitura nga subjekte të ndryshme ose nga i njëjti subjekt në periudha të ndryshme, çka ka sjellë krijimin e dublimeve dhe rritje të ngarkesës administrative në procesin e trajtimit.

Trendi i vendimeve të legalizimit të objekteve informale ka pasur luhatje nga viti në vit.  Kulmi është regjistruar në vitin 2016 me 48,351 vendime dhe me pas këtij viti shifra më e ulët është në 2023-shin, me 10.132 vendime, për tu rritur më pas sërish në 2025, ku regjistrohen 26.101 vendime legalizimi.  Nga numri total i vendimeve të dhëna, ato që janë refuzuar përbëjnë një peshë minimaliste.  Gjatë vitit 2025, rezultojnë vetë, 610 vendime për moslegalizim, dhe pse rezulton shifra më e lartë në 5 vitet e fundit.  Ky tregues reflekton nivelin e përputhshmërisë së aplikimeve me kërkesat ligjore dhe standardet tekniko-administrative të procesit të legalizimit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat