Shqipëria Postuar më 20 Janar 2025, 14:09

Ndryshon kontrata për shit-blerjen e energjisë - Propozimet e FTL, HEC-et e vegjël mund ta shesin në tregun e lirë

Nga Ola Mitre

Ndryshon kontrata për shit-blerjen e energjisë - Propozimet e FTL,

Prodhuesit me Përparësi të Energjisë do të mund ta shesin edhe në treg të lirë energjinë e gjeneruar. Gjithçka përcaktohet në draft kontratën e re të propozuar nga Furnizuesi i Tregut të Lirë, pjesë e OSHEE Group që aktualisht është i ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik të blerjes së energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme.

Sipas dokumentit të nxjerrë për konsultim publik nga Enti Rregullator i Energjisë shitja mund të bëhet me kushtin që blerësi të njoftohet deri në datën 1 gusht.

Sipas kontratës aktuale FTL e blen të gjithë energjinë që prodhohet nga HEC-et me fuqi të instaluar deri në 15 MW, me një çmim fiks që aktualisht është 10 lekë/kWh.

Sipas Entit Rregullator afati i parashikuar i njoftimit deri në 1 gusht vlerësohet si i pazbatueshëm, por do të jetë varianti përfundimtar i miratuar që do përcaktojë sesi do të veprohet.

Marrëveshja e propozuar prezanton edhe një tjetër risi, duke parashikuar daljen e plotë në tregun e lirë për një periudhë jo më pak se një vit, një përcaktim që synon të ndihmojë FTL-në në programimin më të saktë të energjisë së blerë nga prodhuesit me përparësi.

Kontrata e re parashikon edhe disa ndryshime të tjera, që sipas FTL-së janë të domosdoshme për shkak të ndryshimeve ligjore dhe rregullatore, zhvillimeve në tregun e energjisë, problemeve të hasura gjatë zbatimit të kontratës aktuale, si dhe nevojës për përshtatje me praktikat më të mira të industrisë.

Po ashtu, ndryshimet e propozuara nevojiten për shkak të rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit në raportin për auditimin e përputhshmërisë dhe rregullshmërisë të dates 31.07.2023, për të përmirësuar kushtet e kontratave me Prodhuesit me Përparësi të Energjisë.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat