Shqipëria Postuar më 18 Dhjetor 2024, 14:10

“Ndryshimet në ligj na cënojnë pavarësinë” - Përmbaruesit privatë: Shton kompetencat e Ministrisë për masa disiplinore

Nga Ledina Elezi

“Ndryshimet në ligj na cënojnë pavarësinë”

Një grup përmbaruesish gjyqësorë privat kanë kundërshtuar ndryshimet që Ministria e Drejtësisë ka planifikuar t'i bëjë ligjit aktual.

Gjatë procesit të konsultimit publik, disa përmbarues janë shprehur se projektakti do të ketë një ndikim negativ në pavarësinë e përmbaruesve gjyqësorë privat, do të cenojë autonominë e organeve të pavarura si Komisioni Disiplinor dhe rrezikon ta kthejë gjithë procesin displinor në një mjet kontrolli të Ministrisë së Drejtësisë.

Nga ky projektakt, Ministrisë së Drejtësisë i shtohen kompetencat për sa i përket procedimit displinor të përmbaruesve që kryejnë shkelje.

Konkretisht, Ministrit të Drejtësisë do t'i jepet e drejta për të marrë masa disiplinore në mënyrë të drejtëpërdrejtë, ndërkohë që ligji i mëparshëm synonte që këto vendime sanksionuese të ndërmerreshin nga një organ i pavarur, siç është Komisioni Disiplinor, për të garantuar objektivitet dhe për të minimizuar ndikimet politike.

Ligji në fuqi përcakton se individi që kërkon të licencohet si përmbarues giyqësor privat duhet të plotësojë midis të tjerash edhe kushtin që të jetë në marrëdhënie pune me kohë të plotë me një përmbarues ose zyrë të përmbarimit privat, si ndihmëspërmbarues për një periudhë jo më të vogël se 2 vjet, pas kryerjes së trajnimit të detyrueshëm fillestar. Ndryshimi i propozuar synon të zvogëlojë këtë periudhë të përvojës profesionale nga 2 vjet në 1 vit, duke rrezikuar sipas tyre cilësinë e trupës së përmbaruesve të rinj.

Gjithashtu, përmbaruesit gjyqësorë privatë kanë vlerësuar se ky projektligji nuk jep qartësi të mjaftueshme për afatet dhe mënyrën e dorëzimit të dokumentacionit dhe arkivit nga përmbaruesi, e cila krijon një hapësirë të panevojshme për interpretime subjektive dhe zbatime të ndryshme.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat