Shqipëria Postuar më 18 Mars 2026, 11:12

Ndryshimet në çmimet e apartamenteve në Shqipëri/ Qytetet bregdetare dhe Tirana kryesojnë, Durrësi destinacion investimi

Nga Scan TV

Ndryshimet në çmimet e apartamenteve në Shqipëri/ Qytetet

Tregu imobiliar në Shqipëri paraqet një panoramë të larmishme çmimesh, ku vlera e pronave ndryshon ndjeshëm në varësi të qytetit, pozicionit gjeografik dhe tipologjisë së banesës. Të dhënat  nga Investropa tregojnë se zonat bregdetare dhe kryeqyteti vijojnë të kenë çmimet më të larta, ndërsa qytetet e tjera ofrojnë alternativa më ekonomike për blerësit. Ky diferencim lidhet ngushtë me zhvillimin ekonomik, turizmin dhe kërkesën në rritje për prona si për banim ashtu edhe për investim.

Në Durrës, apartamentet kushtojnë mesatarisht nga 50,000 deri në 90,000 dollarë. Ky qytet mbetet një nga destinacionet kryesore për investime, i nxitur nga turizmi dhe afërsia me kryeqytetin. Sigurisht, kjo kosto rritet ndjeshëm në zonat më të kërkuara pranë vijës bregdetare apo për apartamente me pamje nga deti, si dhe në varësi të sipërfaqes dhe standardit të ndërtimit. Po ashtu, në Vlorë, çmimet e apartamenteve nga 45,000 deri në 80,000 dollarë, duke reflektuar rritjen e kërkesës për prona në bregdet, sidomos gjatë viteve të fundit me shtimin e turistëve.

Ndërkohë, në Tiranë, tregu mbetet më i shtrenjtë krahasuar me pjesën tjetër të vendit. Apartamentet 1+1 luhaten nga 60,000 deri në 100,000 dollarë, të ndikuara nga urbanizimi, zhvillimi ekonomik dhe kërkesa e lartë për banim dhe investim. Çmimet në kryeqytet priren të rriten më shpejt, veçanërisht në zonat qendrore dhe ato me infrastrukturë të zhvilluar, duke e bërë Tiranën një nga tregjet më aktive në vend.

Në qytetet e tjera, çmimet janë më të përballueshme. Në Shkodër, shtëpitë familjare me oborr në zonat periferike variojnë nga 40,000 deri në 70,000 dollarë, duke ofruar hapësirë më të madhe dhe kosto më të ulët për familjet. Ndërsa në Gjirokastër, shtëpitë kushtojnë nga 35,000 deri në 60,000 dollarë, duke tërhequr interes jo vetëm për banim, por edhe për investime në turizëm dhe bujtina karakteristike.

Tendencat aktuale sugjerojnë një interes në rritje nga investitorët vendas dhe të huaj, ndërsa zhvillimet infrastrukturore dhe rritja e turizmit pritet të ndikojnë më tej në çmimet e pronave në vitet në vijim.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat