Shqipëria Postuar më 7 Prill 2025, 10:09

Ndryshime në skemën e kreditimit studentor - Aplikimi përmes e-Albania, interesat mbulohen nga shteti

Nga Ernilda Luzi

Ndryshime në skemën e kreditimit studentor - Aplikimi përmes

Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime në vendimin për “përcaktimin e skemës së kreditimit studentor”, me qëllim lehtësimin e procedurave për studenët që përballen me vështirësi financiare gjatë studimeve.

Sipas vendimit, studenti ka të drejtë të aplikojë për kredi studentore pranë Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë, nëpërmjet portalit qeveritar e-Albania, brenda 30 ditëve nga fillimi i vitit akademik, duke bashkëlidhur dokumentacionin që vërteton regjistrimin si student në institucionin përkatës të arsimit të lartë.

Financimi i kredisë bëhet me këste, të paktën dy herë në vit. Financimi i këstit të parë për çdo vit akademik duhet të realizohet pas konfirmimit nga institucioni i arsimit të lartë, që studenti kredimarrës ka frekuentuar procesin mësimor. Financimi i kësteve pasardhëse realizohet pas konfirmimit nga institucioni i arsimit të lartë, që studenti kredimarrës ka shlyer tarifën vjetore të shkollimit të atij viti akademik dhe ka frekuentuar procesin mësimor.

Ndërkohë, studenti që ndjek një program të dytë studimi apo përfiton bursë nuk ka të drejtë të aplikojë për kredi studentore.

Mbulimi i shpenzimeve të interesave të kredive studentore realizohet nga fonde buxhetore grante të miratuara për Ministrinë përgjegjëse për Arsimin. Ndërsa, Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë, për të financuar normën e interesit të kredive studentore në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet bankave të nivelit të dytë dhe AKFAL-it, me vendim të Bordit Drejtues, miraton shumën e fondeve grant që akordohen nga ministria përgjegjëse për arsimin.

Referuar vendimit, shuma e fondeve vjetore për mbulimin e shpenzimeve të interesave të kredive studentore përllogaritet deri në masën 0.5% të shumës vjetore të grantit të mësimdhënies.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat