Shqipëria Postuar më 1 Gusht 2026, 10:57

Ndryshime në ligjin për strehimin social, në konsultim publik/ Garanci Sovrane dhe më shumë banesa sociale, çfarë parashikon projektligji?

Nga Diamila Leka

Ndryshime në ligjin për strehimin social, në konsultim publik/

Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin për disa ndryshime në ligjin “Për strehimin social”, me synimin për të modernizuar skemat e mbështetjes dhe për të rritur aksesin e qytetarëve në banesa të përballueshme.

Ndryshimet propozojnë zgjerimin e burimeve të financimit për programet e strehimit social, duke kombinuar fondet publike me investimet private. Një nga risitë është krijimi i projekteve me destinacion të kombinuar, ku në të njëjtin zhvillim do të ndërtohen banesa sociale me qira, banesa me kosto të ulët dhe apartamente për tregun e lirë. Të ardhurat nga shitja e këtyre të fundit do të përdoren për financimin dhe zgjerimin e fondit të banesave sociale.

Projektligji parashikon gjithashtu krijimin e Garancisë Sovrane, një instrument që do të mbështesë kreditë e lehtësuara për blerjen e banesave. Garancia do të mbulojë deri në 30 për qind të vlerës së banesës dhe synon të ulë pengesat për familjet që kanë vështirësi në sigurimin e financimit nga bankat.

Një tjetër ndryshim lidhet me zgjerimin e kategorive përfituese. Rishikimi i kriterit të të ardhurave për banesat me kosto të ulët synon të përfshijë edhe familjet e shtresës së mesme, të cilat, sipas relacionit, nuk kanë mundësi të përballojnë çmimet aktuale të tregut të banesave.

Projektligji krijon gjithashtu bazën ligjore për programe të posaçme të subvencionimit të qirasë për kategori të veçanta, ndërsa rrit rolin e sektorit privat në krijimin e fondit publik të banesave sociale.

Sipas relacionit shoqërues, ndryshimet synojnë të ulin varësinë nga financimi i drejtpërdrejtë i buxhetit të shtetit, të rrisin investimet në sektorin e strehimit dhe të krijojnë një model më të qëndrueshëm për politikat publike të strehimit.

Në vlerësimin financiar, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit thekson se Garancia Sovrane nuk përbën shpenzim të menjëhershëm buxhetor, por një detyrim potencial që aktivizohet vetëm në rastet e parashikuara. Për rreth 4 mijë e 100 familje përfituese, kostoja e vlerësuar e kësaj garancie llogaritet në rreth 231 milionë lekë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat