Shqipëria Postuar më 14 Nëntor 2025, 11:18

Ndryshime në kontratat e energjisë/ Komuniteti i Energjisë: Rregullorja e re rrit besimin e investitorëve dhe ndërton treg konkurrues

Nga Ola Mitre

Ndryshime në kontratat e energjisë/ Komuniteti i Energjisë:

Rritje e besimit të investitorëve dhe forcim i rolit të Shqipërisë në ndërtimin e një tregu të energjisë elektrike më konkurrues dhe më të qëndrueshëm”. Këto janë efektet që pritet të sjellë miratimi i Metodologjisë për Vlerësimin e Gatishmërisë së Tregut, sipas Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.

Sekretariati ka komentuar miratimin e dokumentit nga Enti Rregullator i Energjisë, duke e konsideruar një hap të rëndësishëm drejt përgatitjes për kalimin drejt skemave mbështetëse për energjinë e rinovueshme që bazohen plotësisht në treg.

“Ashtu si në disa Shtete Kontraktuese të tjera të Komunitetit të Energjisë, edhe në Shqipëri, me ligj, ankandet për energjinë e rinovueshme duhet të zhvillohen nën një skemë “Kontrate për Diferencë”. Megjithatë, për shkak se tregu i energjisë elektrike ende nuk është mjaftueshëm likuid, ligji ka lejuar një zgjidhje të përkohshme. Në praktikë, prodhuesve u janë dhënë marrëveshje afatgjata për blerjen e energjisë (PPA) me çmime fikse, me kusht që këto kontrata do të konvertohen në marrëveshje të mirëfillta CfD sapo tregu të jetë gati. Metodologjia e sapomiratuar pritet të nxisë procesin për këtë konvertim”, - vlerëson Sekretariati.

Sipas kësaj skeme, prodhuesit do të shesin energjinë e tyre drejtpërdrejt në tregun ditor (day-ahead market), por do të mbeten të mbrojtur nga luhatjet e çmimeve përmes mekanizmit CfD: nëse çmimet e tregut bien nën nivelin e dakorduar, ata marrin pagesë për të mbuluar diferencën; nëse çmimet ngjiten mbi të, ata e kthejnë tepricën.

Sipas metodologjisë së miratuar, ERE do të përfundojë vlerësimin e parë të gatishmërisë së tregut brenda gjashtë muajve. Më pas, konvertimi në kontrata CfD, bazuar në gjetjet e ERE-s, pritet të rrisë volumin e tregtimit dhe të përmirësojë likuiditetin në Tregun Ditor Shqiptar (ALPEX).

Nëse zbatohet me sukses, rritja e likuiditetit të tregut do të forcojë përgatitjen e Shqipërisë për integrim në tregun e brendshëm të energjisë elektrike të BE-së përpara anëtarësimit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat