Shqipëria Postuar më 12 Mars 2026, 12:48

“Ndotja e ajrit, tej normave” - Raporti alternativ, Bejko: 98.3% e pikave të monitorimit rezultojnë mbi normë për CO₂

Nga Ola Mitre

“Ndotja e ajrit, tej normave” - Raporti alternativ, Bejko: 98.3% e

Monitorimi alternativ i cilësisë së ajrit, ndotjes akustike dhe cilësisë së ujërave i realizuar gjatë vitit 2025 nxjerr në pah të dhëna shqetësuese në drejtim të gjendjes në mjedis. Sipas raportit të realizuar nga CoPlan, Instituti për Zhvillimin e Habitatit 66.7% e pikave të monitorimit në Tiranë tejkalojnë vlerën referencë për dioksidin e azotit (NO₂), ndërsa 98.3% e pikave të monitorimit rezultojnë mbi nivelin referencë për dioksidin e karbonit (CO₂).

“66.7% e pikave të monitorimit në Tiranë përgjatë vitit tejkalojnë vlerën referencë për dioksidin e azotit, duke treguar një ndikim të fortë të trafikut rrugor dhe burimeve të djegies në zonat urbane. Në të njëjtën kohë, po në Tiranë, 98.3% e pikave të monitorimit rezultojnë mbi nivelin referencë për dioksidin e karbonit, çka reflekton intensitetin e lartë të aktivitetit urban dhe të trafikut në qytetet tona”, - tha Anila Bejko, drejtore ekzekutive e CoPlan, gjatë prezantimit të raportit.

Ambasadori i Suedisë në Shqipëri e vuri theksin te nevoja për të garantuar ajër të pastër dhe pasojat financiare e shëndetësore, në rast se ndotja nuk trajtohet.

“Brenda kapitullit mjedisor në procesin e integrimit në BE, fusha që ka ndikimin më të madh në mirëqenien e përditshme të njerëzve është cilësia e ajrit. Ajri i pastër është thelbësor për shëndetin publik, produktivitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Kur ndotja e ajrit nuk trajtohet, kostot, si për sistemin shëndetësor ashtu edhe për konkurrueshmërinë ekonomike, janë të konsiderueshme. Dhe duke qenë se ndotja duhet trajtuar në burim, veçanërisht në sektorët e transportit dhe të ngrohjes, kjo kërkon investime të mëdha afatgjata. Përmirësimi i cilësisë së ajrit është, për këtë arsye, një prioritet si mjedisor ashtu edhe socio-ekonomik”, - tha Niklas Ström, Ambasador i Suedisë në Shqipëri.

I pranishëm në aktivitet ishte dhe zv. ministri i Mjedisit Genti Gazheli, i cili bëri me dije se ka nisur puna për hartimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Cilësinë e Ajrit 2026-2036, ndërsa në drejtim të pikave të monitorimit synohet shtimi i 10 stacioneve të reja. Publikimi i raportit alternativ vjen në një kohë kur sistemi i monitorimit të cilësisë së ajrit, që administrohet nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit paraqet probleme të shumta, sidomos në drejtim të numrit të stacioneve në terren, si dhe raportimit në kohë reale nga kompanitë që konsiderohen ndotës të mëdhenj.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat