Shqipëria Postuar më 18 Maj 2026, 11:23

Ndërtimi i korridorit VIII rrugor - Miratohen 2 vendime për shpronësimet, i hapet rrugë vijimit të punimeve 

Nga Ola Mitre

Ndërtimi i korridorit VIII rrugor - Miratohen 2 vendime për

Qeveria ka miratuar dy vendime për shpronësime në funksion të ndërtimit të Korridorit VIII, duke i hapur rrugë vijimit të punimeve në segmentet Elbasan – Qafë Thanë dhe Elbasan – Lekaj.

Njëri prej tyre lidhet me shpronësimet për segmentin Papër - Ura e Grykshit, ku janë përcaktuar kompensimet për pronarët e pasurive që preken nga ndërtimi i aksit, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej rreth 14.6 mln lekë. Ndërkohë, vendimi i dytë përfshin ndryshime në vendimin e mëparshëm për shpronësimet që lidhen me fazën III të projektit, në drejtimin nga Elbasani në Qafë Thanë, duke e rritur vlerën totalë në 14.7 milionë lekësh, nga 684 mijë që ishte më herët.

Projektet janë pjesë e zgjerimit të Korridorit VIII, një nga akset strategjike që synon të lidhë Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut dhe më tej me rrjetin evropian të transportit.

Ecuria e punimve në territorin shqiptar, ndryshon sipas loteve ku po punohet, teksa gjatë këtij viti pritet përmbyllja e disa loteve. Në segmentin Elbasan – Qafë Thanë, përveç lotit I, që është tashmë i përfunduar, brenda vitit synohet mbyllja e fazave II, III dhe V, të cilat përfshijnë segmentin nga Labinot-Fushë deri në Librazhd. Në total, në drejtimin Elbasan – Qafë Thanë janë 8 kontrata që mbulojnë 26 kilometra.

Paralelisht, gjatë vitit 2026 pritet të përfundojnë edhe 6 lote në drejtimin Elbasan – Rrogozhinë, që mbulojnë rreth 20 kilometra nga 40.7 kilometra gjithsej.

Megjithatë, për realizimin e plotë të korridorit mbeten ende segmente për t’u tenderuar. Në drejtimin Elbasan – Qafë Thanë, pritet të kontraktohet ndërtimi i rrugës nga fshati Xhyrë deri në lidhjen me Maqedoninë e Veriut. Ndërsa në aksin Elbasan – Rrogozhinë mbetet për t’u prokuruar segmenti nga Peqini deri në lidhjen me autostradën Adriatiko-Joniane. Po ashtu, pjesë e projektit do të jetë edhe bypass-i i Elbasanit, që do të lidhë segmentet që aktualisht janë në ndërtim, për të cilin është hapur tenderi për ndërtimin e 4 km të parë.

 

Ndrysho madhesinë
Aa
Modaliteti i errët

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat