Shqipëria Postuar më 16 Qershor 2025, 12:45

Ndërtimi i “autostradave” energjetike - Projektet / Nga linja me Maqedoninë e Veriut, te Greqia dhe kabllon nënujore me Italinë

Nga Ola Mitre

Ndërtimi i “autostradave” energjetike - Projektet / Nga linja

Shqipëria po përshpejton ndërtimin e linjave të interkonjeksionit me vendet fqinje, ndërkohë që sektori i energjisë elektrike mbetet i varur nga burimet hidrike, një varësi që ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostove të shkëmbimeve energjetike.

“Ne jemi të lidhur nëpërmjet linjës 400 kV me Kosovën, projekti korrent i cili është me Maqedonin e Veriut, jemi duke bërë edhe studimin e fizibilitetit për linjën Shqipëri – Greqi dhe ne arrijmë të lidhemi me linja 400 kV me të gjithë fqinjët tanë. Ndërkohë, pas kësaj vjen në radhë lidhja me kabllo nënujore me Italinë”, - bën me dije Dorjan Sejamini, drejtor i projekteve të huaja, pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit.

Projekti më i avancuar është ndërtimi i linjës së interkonjeksionit 400 kV Shqipëri – Maqedoni e Veriut, i cili pritet të përfundojë në fund të këtij viti.

“Pothuajse kanë mbaruar punimet civile. Do fillojnë së shpejti punimet mekanike, transformatorët janë prodhuar dhe nga shtatori duhet të jenë të montuar. E njëjta situatë është me nënstacionin e Elbasanit, po edhe linja është me ritme të mira”, - thotë Julian Angoni, menaxher projekti.

“Struktura e financimit të këtij projekti ndahet përmes një kredie të dhënë nga KFW gjermane, një granti nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor si dhe një bashkëfinancimi nga OST, në vlerën e 5 mln euro”. 

Më konkretisht 50 mln euro janë kredi e dhënë nga KFW dhe 17 mln euro janë grant i Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor. Projekti përfshin ndërtimin e linjës së re të transmetimit 400 kV Elbasan – Qafë Thanë dhe Elbasan – Fier, me gjatësi totale prej 130 km, ngritjen e nënstacionit të ri 400 kV “Elbasan 3” si dhe zgjerimin e nënstacionit Fier.

Ndërkaq, projekti për lidhjen me kabllo nënujore me Italinë është ende në fazën e hershme, por janë zhvilluar takime të nivelit të lartë qeveritar dhe procesi ka nisur zyrtarisht.

“Kuptohet, që ndoshta është herët për të folur për detaje teknike që kanë të bëjnë me financimin, që kanë të bëjnë me gjatësinë, që kanë të bëjnë me pikën dalëse dhe hyrëse me shtetin italian, por që është në rrugë, ka nisur dhe sa më shumë këto projekte të brendshme të Shqipërisë dhe rajonale bëhen eficiente, aq më tepër rritet edhe ritmi më pas për të vijuar me detajimin e kabllos nënujore me Italinë”, - thotë Sejamini.

Përvç uljes së kostove të transmetimit të energjisë elektrike, këto linja kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendeve, forcojnë bashkëpunimin rajonal në sektorin e energjisë dhe ndihmojë në mbrojtjen e klimës dhe mjedisit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat