Shqipëria Postuar më 21 Gusht 2025, 11:36

Ndërhyrje emergjente në Urën e Milotit - Hapet tenderi për punimet, do zgjatin 8 javë nga nënshkrimi i kontratës

Nga Ola Mitre

Ndërhyrje emergjente në Urën e Milotit - Hapet tenderi për

Me një fond limit prej 107.6 mln lekë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për ndërhyrje emergjente në Urën e Milotit mbi lumin Mat. Hapja e procedurës së prokurimit publik vjen pas mbylljes së qarkullimit të automjeteve, për shkak të gjendjes së themeleve të saj. Sipas raportit teknik të përgatitur në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës, pilotat mbajtëse të urës janë ekspozuar dhe gërryer 3 - 5 metra, për shkak të erozionit dhe shfrytëzimit të pakontrolluar të shtratit të lumit.

Kontrata që synohet të lidhet parashikon betonimin dhe mbrojtjen e pilotave, vendosjen e blloqeve të lidhura (gabioneve) për stabilizimin e shtratit, si dhe pastrimin dhe nivelimin e zonës përreth themeleve. Sipas parashikimeve, këto masa do të zgjasin jetëgjatësinë e urës për të paktën 5 deri në 10 vjet.

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se pas përfundimit të procedurës së prokurimit, punimet do të nisin menjëherë, duke pasur parasysh se ndërhyrja klasifikohet si emergjente. Ndërkohë që, sipas grafikut të punimeve, parashikohet që ndërhyrja të kërkojë 8 javë.

Ura e Milotit ndodhet në aksin rrugor Milot - Lezhë dhe është një nyje kyç në këtë aks kombëtar. Projekti për ndërtimin e saj ka datën 24.04.1979.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat