Shqipëria Postuar më 16 Qershor 2026, 12:09

Nafta dhe benzina me çmime të reja - Operatorët paralajmërohen për masa në rast shkeljesh

Nga Edel Strazimiri

Nafta dhe benzina me çmime të reja - Operatorët

Bordi i Transparencës ka miratuar çmimet e reja të shitjes së karburanteve në tregun vendas, të cilat hynë në fuqi sot, më 16 qershor 2026, në orën 14:00.

Sipas vendimit të Bordit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil të standardit SSH EN 590 është përcaktuar në 180 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë në 168 lekë për litër.

Po ashtu, çmimi maksimal i shitjes me pakicë i benzinës është caktuar në 168 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë në 156 lekë për litër.

Çmimet e reja do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, ku do të reflektohen ndryshimet e mëtejshme të tregut ndërkombëtar të hidrokarbureve.

Bordi u ka rikujtuar operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve detyrimin për zbatimin e vendimit, duke paralajmëruar masa administrative në rast shkeljesh.

Sipas njoftimit zyrtar, ndaj operatorëve që konstatohet se nuk respektojnë çmimet e miratuara mund të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, thekson se mbetet e angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun e karburanteve.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat