Shqipëria Postuar më 8 Tetor 2025, 11:22

Moody's rikonfirmon vlerësimin e Shqipërisë: "Ba3" me perspektivë "të qëndrueshme"!

Nga Edel Strazimiri

Moody's rikonfirmon vlerësimin e Shqipërisë: "Ba3"

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit Moody's Ratings, në raportin e saj periodik të publikuar më 7 Tetor 2025, ka rikonfirmuar vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë në "Ba3" me perspektivë "të qëndrueshme".

Moody's thekson se stabiliteti makroekonomik u ruajt gjatë tri goditjeve të mëdha që prekën ekonominë shqiptare, siç ishte tërmeti, pandemia dhe kriza energjetike evropiane, si dhe vlerëson qëndrueshmërin, por edhe aftësinë për rimëkëmbjen e shpejtë.

Agjencia nënvizon gjithashtu se perspektiva afatmesme e rritjes ekonomike do të mbetet e qëndrueshme.

Rritja reale e PBB-së prashikohet prej 3.7% për vitin 2025 dhe 3.5% për vitin 2026, duke u nxitur kryesisht nga konsumi i fortë vendas dhe investimet në infrastrukturën e turizmit dhe energjisë. Sektori i turizmit do të vazhdojë të mbetet kontributor i rëndësishëm në rritjen ekonomike, duke përmirësuar eksportet e shërbimeve dhe investimet në ndërtim.

Në aspektin fiskal, Moody's vlerëson trendin pozitiv të borxhit publik që ka rifilluar rënien që prej vitit 2022, pas tre goditjeve të mëdha. Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së ra në 54.2% në vitin 2024 nga piku prej 74.1% në vitin 2021. Agjencia parashikon që borxhi publik të arrijë në 53.5% të PBB-së në vitin 2026, e mbështetur nga rritja e fortë ekonomike dhe suficiti primar fiskal.

Agjencia vlerëson se autoritetet pritet të respektojnë rregullat fiskale të përcaktuara në Ligjin Organik të Buxhetit, për garantimin e mbajtjes së një bilanci primar të paktën të balancuar, si dhe uljen e raportit të borxhit të përgjithshëm të qeverisë ndaj PBB-së, çdo vit, derisa të arrijë 45%.

Investimet e huaja direkte kontribuojnë në zbutjen e rreziqeve që vijnë nga deficiti i llogarisë korrente, i cili qëndroi në 2.4% të PBB-së në vitin 2024 dhe pritet të mbetet i qëndrueshëm rreth këtij niveli gjatë periudhës 2025-2026, ndjeshëm më poshtë mesatares prej 7.3% të PBB-së të regjistruar gjatë viteve 2017-2022.

Sektori financiar mbetet i kapitalizuar dhe likuid në mënyrë e duhur, ndërsa rreziqet potenciale mbeten nën kontroll.

Shqipëria do të vazhdojë të përfitojë nga financimet e BE-së dhe zbatimi gradual i reformave të lidhura me procesin e anëtarësimit. Reformat, veçanërisht ato në fushat e sundimit të ligjit, masat kundër korrupsionit dhe mirëqeverisja do të shërbejnë për të përshpejtuar procesin e bisedimeve për anëtarësimin. Integrimi ekonomik me BE-në, si partneri tregtar më i madh i Shqipërisë, do të shërbejë për rritjen e qëndrueshme ekonomike në periudhën afatmesme, si dhe do të ndihmojë në ngushtimin e hendekut të të ardhurave me vendet anëtare.

Ky rikonfirmim i vlerësimit nga Moody's është një tregues mjaft i rëndësishëm i stabilitetit makroekonomik të Shqipërisë dhe progresit të vazhdueshëm të reformave strukturore, çka jep sinjale pozitive për investitorët ndërkombëtarë dhe mbështet objektivat strategjikë të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Shqipëria 8 Tetor Edel Strazimiri

Sa këmbehen sot valutat kryesore?

Dollari amerikan ka regjistruar edhe këtë të mërkurë rritje të lehtë të kuotës në raport me fillimin e javës duke u blerë sot me 82.7 lekë dhe duke u shitur......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat