Shqipëria Postuar më 27 Mars 2026, 11:58

“Monitorim i rreptë për çmimet e ushqimeve” - Ibrahimaj: Bordi i Transparencës, deri në rikthimin e çmimeve para krizës

Nga Diamila Leka

“Monitorim i rreptë për çmimet e ushqimeve” -

Në një konferencë për mediat, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se çmimi i naftës do të ketë një monitorim të vazhdueshëm dhe se çmimet tavan do të përcaktohen nga Bordi i ngritur. Ndër të tjera theksoi se ndërhyrja e ditës së djeshme erdhi për shkak se tregtarët nuk reflektuan uljet në bursë të çmimit të hidrokarbureve. 

“Ne kemi pasur një rritje të çmimit të naftës prej 24%. Sa i takon bursës dhe çmimeve të bursës, që nga shkurti është rritur me 99.7%. është evidente që rritja e çmimit të bursave ndonëse ka ndikuar në çmimin ditor s’ka një pasqyrim direkt me të njëjtën vlerë dhe përmasë në çmimet vendase. Dje mblodhëm Bordin, dhe anëtarë të tjerë të bordit, me qëllim diskutimin për çmimet dhe vendosjen të çmimeve maksimale të tregtimit, mekanizëm që përdoret është një formulë e bazuar në aktin e marrë në vitin 2022 kur kishim një situatë të ngjashme, bazohet në çmimet ditore të bursës dhe i shtohet një marzh 3 lekë për shumicën dhe 12 lekë për pakicën.”

Ministrja Ibrahimaj e pyetur nëse do të ketë një monitorim për shtrenjtimin e çmimeve të shportës, pranoi se ka pasur edhe rritje të çmimeve të produketeve ushqimore, ndërsa theksoi se po kryejnë monitorim ditor dhe se nuk do të lejojnë abuzimet.

“Sa u takon ushqimeve, ne po monitorojmë një shportë me 80 ushqime dhe e vërteta është që kanë filluar të reflektohen në disa prej produkteve të shportës çmimet e rritura. Do të aktivizojmë një ekip, disa grupe monitorimi nga Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut për të verifikuar këto çmime sepse ne kemi përzgjedhur në bashkëpunim me INSTAT këtë listë produktesh dhe një numër të limituar të tregtarëve. Tani do të dalim në terren për të monitoruar çmimet dhe reflektimin e furnizimeve me realitetin.. Nëse do të marrim vendime në të ardhmen, do të marrim vendime që lidhen me shportën bazë të konsumit, me rritjen e përgjithshme të çmimeve të konsumit. Ajo që duhet të garantojmë është që të mos ketë spekulime me rritje të çmimeve të cilat nuk reflektojnë çmimet e zhdoganimit”.

Gjithashtu Ibrahimaj theksoi se Bordi i Transparencës do të qëndrojë derisa çmimet të rikthehen në nivelin e parakrizës, si rrjedhojë e ndryshimit në bursë. Sa për ndihmën ndaj shtresave në nevojë, ministrja tha se në rast se do të nevojitet ndërhyrje, nuk do të ndryshojë çmimi i energjisë elektrike.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat