Shqipëria Postuar më 6 Janar 2026, 12:52

Modifikimi i kontratave publike - APP, kujtesë institucioneve: Ndryshimet, vetëm kur i parashikon ligji

Nga Ola Mitre

Modifikimi i kontratave publike - APP, kujtesë institucioneve: Ndryshimet,

Agjencia e Prokurimit Publik iu kërkon autoriteteve dhe enteve kontraktore, të zbatojnë legjislacionin në fuqi për modifikimin e kontratave dhe marrëveshjeve kuadër gjatë kohëzgjatjes së tyre.

Rekomandimi vjen pas monitorimeve të kryera nga APP mbi zbatimin e legjislacionit të prokurimit publik dhe synon të sqarojë praktikat që duhet të ndiqen nga autoritetet kontraktore në rastet kur kontratat ndryshohen pas nënshkrimit.

Sipas APP, modifikimi i kontratave apo marrëveshjeve kuadër gjatë zbatimit të tyre lejohet vetëm në rastet e parashikuara shprehimisht në nenin 127 të ligjit “Për prokurimin publik”. Çdo ndryshim jashtë këtyre rasteve konsiderohet shkelje ligjore dhe mbetet përgjegjësi e drejtpërdrejtë e autoritetit ose entit kontraktor.

Agjencia thekson se modifikimet e kontratave nuk kërkojnë miratim paraprak nga APP, por autoritetet kontraktore janë të detyruara të vlerësojnë paraprakisht bazën ligjore të ndryshimit dhe, në rast se ai kryhet, ta pasqyrojnë në mënyrë të detajuar në Sistemin e Prokurimit Elektronik.

Në aspektin procedural, çdo modifikim kontrate duhet të regjistrohet si element i ri në SPE, në kategorinë “Modifikim Kontrate”, dhe të shoqërohet me publikimin e Formularit të Njoftimit për Modifikimin e Kontratës pranë APP. Autoritetet duhet të argumentojnë qartë situatën ligjore që justifikon ndryshimin, duke dokumentuar rrethanat dhe bazën përkatëse ligjore.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat