Shqipëria Postuar më 28 Maj 2026, 10:49

Modernizimi i Regjistrit Tregtar Shqiptar/ QKB forcon bashkëpunimin me InfoCamere në Itali

Nga Fabjona Pasho

Modernizimi i Regjistrit Tregtar Shqiptar/ QKB forcon bashkëpunimin me

Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Biznesit, z. Etugert Llazi, si edhe drejtues të tjerë nga QKB dhe Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit zhvilluan një vizitë zyrtare pune në Padova, Itali, pranë InfoCamere, institucioni që administron sistemin italian të regjistrit tregtar dhe shërbimeve digjitale për biznesin. Vizita u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbështetjes së ofruar nga pala italiane për modernizimin e infrastrukturës teknologjike të QKB-së. 

Gjatë workshop-it të organizuar në ambientet e InfoCamere, përfaqësuesit e QKB-së dhe ekspertët italianë diskutuan mbi implementimin e një sistemi modern, të avancuar regjistrimi dhe raportimi te bazuar në standardin ndërkombëtar XBRL, integrimin me sistemet ekzistuese, si dhe procesin e migrimit të të dhënave drejt platformës së re.

Një fokus i veçantë iu kushtua përputhshmërisë së sistemit të ri me direktivat e Bashkimit Evropian, mbrojtjen e të dhënave personale dhe garantimin e transparencës në funksionimin e regjistrit tregtar. Gjithashtu, u diskutua nderlidhja me sistemin BRIS, që synon ndërveprueshmërinë e regjistrit shqiptar me regjistrat europianë të biznesit.

Delegacioni shqiptar u njoh nga afër me modelin italian të regjistrit plotësisht digjital, përdorimin e identifikimit elektronik dhe nënshkrimit elektronik, si dhe me standardet e sigurisë kibernetike dhe menaxhimit të infrastrukturës teknologjike të InfoCamere. Në kuadër të vizitës, u zhvillua edhe një tur në Data Center-in e institucionit italian, ku u prezantuan kapacitetet teknologjike dhe organizimi operacional për garantimin e vazhdimësisë së shërbimeve. 

Në përfundim të takimit, palët diskutuan hapat e mëtejshëm për projektin e reformimit të Regjistrit Tregtar Shqiptar, përfshirë modelin e qeverisjes, institucionet pjesëmarrëse dhe fazat e implementimit të sistemit të ri. Ky bashkëpunim pritet të kontribuojë drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve ndaj biznesit, rritjen e efikasitetit dhe harmonizimin e mëtejshëm të QKB-së me standardet europiane të digjitalizimit dhe transparencës.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat