Shqipëria Postuar më 16 Prill 2026, 11:28

Modernizimi i kufijve, ulet koha e pritjes për bizneset - Tregtia në Ballkan, nis projekti për digjitalizimin e pikave kufitare

Nga Diamila Leka

Modernizimi i kufijve, ulet koha e pritjes për bizneset - Tregtia në

Rritja e efikasitetit në tregtinë rajonale dhe eliminimi i barrierave fizike e burokratike në kufi është tashmë një prioritet i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit. Përmes projektit të "Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor", Shqipëria hyn në një fazë të re të modernizimit të korridoreve kryesore tregtare.

Në fokus të këtij investimi, të mbështetur nga Banka Botërore, është implementimi i sistemeve të avancuara digjitale. Ky proces synon të thjeshtojë procedurat doganore dhe të reduktojë kohën e pritjes për mjetet e transportit, duke u dhënë një frymëmarrje bizneseve eksportuese dhe importuese.

Aktualisht, Ministria ka vënë në dispozicion të publikut dhe palëve të interesit "Planin e Angazhimit të Palëve të Interesuara" dhe "Planin e Angazhimit Mjedisor e Social". Këto dokumente garantojnë që çdo ndërhyrje infrastrukturore do të kryhet në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare, duke ruajtur ekuilibrat mjedisorë dhe duke përfshirë komunitetet lokale në vendimmarrje.

Përveç përmirësimit të infrastrukturës fizike në pikat kufitare, projekti synon forcimin e koordinimit institucional mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Integrimi rajonal nuk shihet vetëm si një qëllim politik, por si një nevojë ekonomike për të krijuar një treg më të madh dhe më tërheqës për investimet e huaja.

Zbatimi i këtij projekti pritet të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në ekonominë shqiptare, duke ulur kostot logjistike dhe duke e pozicionuar Shqipërinë si një nyje kyçe në transportin rajonal.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat