Shqipëria Postuar më 19 Prill 2025, 10:12

Mjalti, financim 1 mijë lekë për zgjua- Grupimet mbështetje pa tavan, duhet të dorëzojnë 30 % të mjaltit me faturë

Nga Diamila Leka

Mjalti, financim 1 mijë lekë për zgjua- Grupimet mbështetje

Bletërritësit kanë afat deri më datën 30 Maj për të aplikuar për mbështetje me subvencione. Skema Kombëtare e mbështetjes në bujqësi 2025 parashikon financim prej 1 mijë lekë për zgjua për 50-150 zgjoje bletësh; 50 % financim mbi tavanin 150 zgjoje dhe 100 % financim për çdo anëtar nëse grupohen në bashkim operatorësh me minimum 7 anëtarë.  Skema do tu japë përparësi këtyre grupimeve, ndërsa pjesa e mbetur e fondeve do të ndahet në mënyrë proporcionale tek aplikantët e tjerë.

Masa nxitëse për tu bashkuar në Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor, në mënyrë që të marrin financim 100 % përpos faktit nëse kanë më shumë numër zgjojesh se limiti i caktuar, i detyron bletërritësit që ta shesin mjaltin tek një subjekt i licencuar me faturë. Vitin e kaluar qeveria miratoi një udhëzim,  i cili përcaktonte rrugën që duhet të ndjekin fermerët për tu bashkuar.

Konkretisht, në rastin e aplikimit si grup fermerësh, aplikantët duhet të kenë marrëveshje dakordësie/bashkimi të  anëtarëve të grupit të fermerëve, e cila ngarkohet në  sistem në momentin e aplikimit. Në marrëveshje  përcaktohet numri total i zgjojeve për çdo anëtar  dhe si grup, si dhe përfaqësuesi i grupit/subjektit që  bën aplikimin.

Në rastin e aplikimit si grup fermerësh duhet  të kenë kontratë për shitjen e mjaltit, midis grupit të fermerëve dhe një subjekti të licencuar grumbullues/përpunues të mjaltit. Kontrata parashikon që sasia e mjaltit të dorëzuar të jetë jo më pak se 30% të prodhimit që realizon grupi (bazuar ne rendimentin mesatar në shkallë qarku, me referencë të dhënat e INSTAT).

Referuar udhëzimit, çdo anëtar i grupit të dorëzojë në AZHBR jo më pak se një faturë/autofaturë shitje të mjaltit. Sasia e mjaltit  e pasqyruar në të gjithë faturat e dorëzuara nga grupi i fermerëve, të jetë jo më pak se 30% të prodhimit  vjetor.

Referuar shifrave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, prodhimi i mjaltit aktualisht është afro 5 mijë ton në vit.  Në të gjithë vendin janë rreth 12 000 bletërritës, prej të cilëve rreth 3 mijë kanë mbi 50 koshere. Ndërsa numri total i koshereve llogaritet në 402 mijë.

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat