Shqipëria Postuar më 5 Qershor 2025, 17:07

Miratohet marrëveshja me BERZH për OSHEE, Malaj: 45.7 mln euro për të ulur kostot e borxhit

Nga Hamit Yzeiraj

Miratohet marrëveshja me BERZH për OSHEE, Malaj: 45.7 mln euro

Ministri i Financave ka paraqitur në Kuvend projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Garancisë me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim që synon forcimin e qëndrueshmërisë financiare të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Marrëveshja siguron një hua prej afro 45.7 milionë euro, që do të përdoret për rifinancimin e detyrimeve ekzistuese të OSHEE-së, me kushte shumë më të favorshme sesa kreditë e mëparshme.

“Në vijim në diskutimeve në këtë seancë më lejoni t’ju paraqes në vijim projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Garancisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), lidhur me Marrëveshjen e Huasë me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE GROUP) për projektin e qëndrueshmërisë financiare. Qëllimi i projektligjit është të sigurojë për OSHEE-në garancinë që do t’i ofrojë mundësinë për të përfituar një financim nga BERZH në vlerën prej rreth 45.7 milionë  euro, të cilat do të përdoren për rifinancimin e detyrimeve të OSHEE GROUP ndaj bankave të nivelit të dytë. Kjo masë financiare është e domosdoshme për përballimin e presioneve të likuiditetit dhe përmirësimin e bilancit financiar të OSHEE GROUP, duke siguruar kushte më të favorshme për menaxhimin e detyrimeve financiare.

Marrëveshja e Garancisë ka si qëllim të garantojë të gjitha detyrimet që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike merr përsipër nëpërmjet marrëveshjes së huasë që lidhet me BERZH.  Shoqëria OSHEE GROUP, në fund të vitit 2021 ka marrë overdraft, me garanci shtetërore, në vlerën totale prej rreth 81.5 milionë  Euro, sipas marrëveshjeve overdraft me bankat e nivelit të dytë, të cilat janë rinovuar çdo vit dhe janë efektive aktualisht. Këto financime, pavarësisht se kanë mundësuar mbështetje të menjëhershme, kanë krijuar një kosto financiare të lartë për shoqërinë, për shkak të kushteve të normave të interesit dhe periudhës së shkurtër të ripagimit. Ky projektligj synon të ristrukturojë këtë borxh, duke ofruar mundësinë e një huaje afatgjatë me kushte shumë më të favorshme. Kreditimi i propozuar nga BERZH për një periudhë 12-vjeçare (me tre vite periudhë grace) dhe me një normë interesi të bazuar në Euribor 6-mujor + marzh 1%, është më i favorshëm në krahasim me kreditë e afatshkurtra aktuale, të cilat përfshijnë norma të larta interesi dhe komisione të tjera administrative.  Në këtë kuadër, është e rëndësishme të theksojmë se, pas një analize të thelluar kosto totale e kredisë afatgjatë, sipas kushteve e termave të BERZH, është më e ulët se kosto e overdrafteve aktuale, duke rezultuar me një kursim për OSHEE në vlerën rreth 7.1 milionë euro dhe duke ulur ndjeshëm ngarkesën financiare.

Për të garantuar një ekuilibër të duhur financiar dhe për të ruajtur stabilitetin e tregut të kredive në Shqipëri, BERZH ka pranuar të ndajë rreth 50% të financimit të huasë me bankat tregtare vendase[1]. Një angazhim i rëndësishëm ky për të mbajtur balancën e tregut të financimeve dhe për të ruajtur konkurrencën e shëndoshë në sektorin bankar shqiptar.

Gjithashtu dëshiroj të theksoj se ky projektligj është plotësisht në përputhje me nenet 81, pika 1 dhe 100 të Kushtetutës, me ligjin nr. 9665, datë 18.12.2006 “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, dhe ligjin nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”. Po ashtu, marrëveshja e Garancisë është miratuar në parim me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 107, datë 19.02.2025 dhe është nënshkruar nga të dy palët.

Në përfundim të fjalës sime më lejoni të theksoj edhe një herë rëndësinë që ka miratimi i këtij projektligji, si një instrument kyç për mbështetjen dhe përmirësimin e kushteve financiare të OSHEE GROUP, institucion i cili ka një rëndësi të veçantë në përmirësimin e qëndrueshmërisë së sektorit të energjisë në vend.”



Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat