Shqipëria Postuar më 30 Janar 2026, 18:40

Ministri Salla në Divjakë: Pas kërkesave, plani i mbështetjes për fermerët po rishikohet

Nga SCAN TV

Ministri Salla në Divjakë: Pas kërkesave, plani i

Në takimin me fermerët në Divjakë për Skemën Kombëtare 2026, ku të pranishëm ishin Kryeministri Edi Rama, Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe Ministri i Financave Petrit Malaj, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi se po rishikohet plani i mbështetjes duke marrë në konsideratë kërkesat dhe sugjerimet e fermerëve.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Salla theksoi se deri më tani janë zhvilluar 18 takime me fermerët në qarqe të ndryshme të vendit, nga 23 të planifikuara gjithsej, duke nënvizuar se dëgjesat do të vijojnë në çdo qark. “Komentet dhe sugjerimet e fermerëve janë të domosdoshme dhe shumë të dobishme për hartimin e Skemës Kombëtare 2026, sipas kërkesave reale të terrenit,” u shpreh ai.Ministri Salla u ndal edhe te çështjet konkrete të adresuara gjatë dëgjesave. “Janë shumë të domosdoshme dhe të dobishme që ne ta rishikojmë pjesën e mbështetjes dhe mënyrën si do të jemi ndaj aplikantëve, për të ulur numrin e krerëve për bagëti në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë fermerë. Kemi marrë sugjerime për bletarinë dhe kërkesa që lidhen me certifikatat e pronësisë dhe kontratat e tokave me qira,” deklaroi Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Ai bëri të ditur se këto sugjerime po analizohen në mënyrë të strukturuar. “Jemi duke i rishikuar, kemi bërë një plan me AZHBR dhe Ministrinë e Bujqësisë dhe do të shikojmë atë që na sugjeroni, për t’i përafruar edhe me skemën e naftës, ku kemi pasur problematika të shtuara sipas propozimeve të fermerëve,” tha Salla.

Ministri theksoi gjithashtu nevojën për sinkronizim të të gjitha instrumenteve mbështetëse. “Duhet të jemi sinkron, të mbështesim edhe përmes IPARD-it, ku së shpejti do të ketë mbështetje për të gjithë sektorin bujqësor. Do të ndërtohen edhe dhoma frigoriferike, do të ketë mbështetje për fermerët e të gjitha fushave, si bimët medicinale, dhe mbi të gjitha duhet të jemi në terren bashkë me fermerët. Ju do të jeni zëri dhe mbështetja për çdo punë që do të krijojmë së bashku,” përfundoi Ministri Salla.

Dëgjesat për Skemën Kombëtare 2026 do të vijojnë në të gjitha qarqet e vendit, me synimin që politikat mbështetëse të ndërtohen në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me fermerët dhe të reflektojnë nevojat reale të sektorit bujqësor.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat