Shqipëria Postuar më 15 Nëntor 2025, 12:52

Ministri i Bujqësisë inspekton Kallasën/ Salla: Dy kaskada mbrojtëse për 850 ha tokë bujqësore

Nga Scan TV

Ministri i Bujqësisë inspekton Kallasën/ Salla: Dy kaskada

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla, inspektoi sot punimet mbrojtëse përgjatë lumit Kalasa në bashkinë Finiq, një prej lumenjve më problematikë në vend për shkak të prurjeve të larta.

Gjatë inspektimit, ministri u informua nga inxhinierët dhe autoritetet vendore se dy kaskadat kryesore mbrojtëse, ajo e Vanës dhe ajo e Shelegarit, kanë përfunduar që prej 5 muajsh dhe aktualisht ndodhen në fazën e garancisë së punimeve.

Inxhinierët sqaruan se lumi Kalasa ka një pellg ujëmbledhës prej rreth 22 mijë hektarësh dhe një prurje maksimale prej 274 m³/s, që shfaqet mesatarisht një herë në 20 vite. Për shkak të distancës së shkurtër nga terrenet malore në shtrat, prurjet e lumit rriten brenda 30 minutash gjatë reshjeve të dendura, duke krijuar rrezik të lartë për gërryerje dhe përmbytje.

Punimet e kryera synojnë uljen e energjisë kinetike të ujit dhe mbrojtjen e brigjeve, çka ka rëndësi thelbësore për ruajtjen e argjinaturave që mbrojnë rreth 850 hektarë tokë bujqësore në fushën e Finiqit.

“Këto investime janë jetike për mbrojtjen e 850 hektarëve tokë bujqësore, sepse detyra jonë si ministri dhe si qeveri është të garantojmë që çdo fushë të jetë plotësisht në funksion të fermerëve. Ne duhet të sigurojmë që toka të mbillet dhe të kultivohet pa rrezik, pa probleme të mëdha dhe sidomos pa përmbytje. Vetëm kështu mbështesim prodhimin vendas dhe rrisim qëndrueshmërinë e komuniteteve rurale”, deklaroi  ministri Salla.

Inxhinierët konfirmuan se projektet për dy kaskadat e mbetura janë gati.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat