Shqipëria Postuar më 21 Janar 2025, 11:52

Minierat, ndryshojnë rregullat për kërkim-zbulimin - Ndryshime edhe për pezullimin e aktivitetit dhe rehabilitimin mjedisor

Nga Ola Mitre

Minierat, ndryshojnë rregullat për kërkim-zbulimin - Ndryshime

Lejet e kërkim-zbulimit do të jepen me procedurë të hapur për të gjitha zonat për të cilat nuk ka informacion gjeologjik apo në ato zona për të cilat ka informacion gjeologjik, por ka interes për studim më të hollësishëm dhe besueshmëri më të lartë në lidhje me të dhënat për zonën”.

Ky është një prej ndryshimeve të parashikuara në ligjin “Për sektorin minerar”, që sipas relacionit shoqërues ka si qëllim nxitjen dhe inkurajimin e veprimtarive të kërkim-zbulimit për shtimin e potencialit të rezervave minerare, veçanërisht atyre deficitare në rajon dhe në BE.

Një tjetër ndryshim ka të bëjë me përcaktimin e një afati kohor për pezullimin e veprimtarisë, për shkak të problemeve të ndryshme që mund të hasin kompanitë minerare. Në draftin e ligjit është përcaktuar e drejta për të kërkuar pezullim deri në 1 vit, e cila vlerësohet nga struktura përgjegjëse dhe miratohet nga ministria.

Ndryshime parashikohen edhe në drejtim të garancisë që paguajnë kompanitë që ushtrojnë aktivitet minerar për rehabilitimin mjedisor të zonës.

Sipas relacionit një nga problematikat e hasura është fakti që vlerësimi i vlerës së garancisë së rehabilitimit kryhet në momentin e marrjes së lejes minerare, por në përfundim të afatit të vlefshmërisë së lejes, vlera reale e rehabilitimit është më e lartë se ajo e parashikuar. Për këtë arsye, në projektligj është parashikuar përditësimi i kësaj vlere, sipas çmimeve të tregut.

Po ashtu, ligji minerar ka parashikuar detyrimin e shoqërive, që në përfundim të afatit të lejes, të rehabilitojnë zonën në të cilën kanë kryer veprimtarinë, por nuk ka të përcaktuar afatin se për sa kohë duhet të kryhet ky rehabilitim. Për këtë arsye, në këtë projektligj është parashikuar një afat deri në 18 muaj për kryerjen e rehabilitimit.

Në rast se zotëruesi i lejes minerare ka braktisur zonën e lejes për 18 muaj, garancia e rehabilitimit të depozituar kalon në favor të shtetit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat