Shqipëria Postuar më 8 Janar 2025, 14:19

Çmimi i ri i energjisë/jo faturim me fasha, por sipas konsumit/ Rama: Shqipëria, në vend të parë në rajon për prodhim të energjisë

Nga Diamila Leka

“Një arritje nga më domethënëset e qeverisjes sonë, uljen e parë në historinë e këtyre 35 viteve të çmimit të energjisë elektrike”.

Kështu e ka konsideruar Kryeministri Edi Rama vendimin më të fundit për uljen e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë. Gjatë një konference për mediat sëbashku me zv/kryeministren, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, Rama theksoi se kjo është një masë më shumë sesa e mirë menduar, e diskutuar gjerësisht në të gjitha nivelet me ekspertizën e brendshme dhe me ekspertizë ndërkombëtare. Sipas tij, Sot Shqipëria prodhon 196 megavat energji elektrike nga subjektet private familjar, apo biznese dhe në vendin e dytë është Serbia me 1/4 e prodhimit të Shqipërisë. Gjithashtu, ai premtoi se brenda mandatit të katërt, Shqipëria do të bëhet eksportuese neto e energjisë elektrike.

“Sot Shqipëria 10% të prodhimit të saj e ka nga dielli. Kur ne hymë në këtë fazë ishte zero. Sot e ka 10 % dhe sot flasim për mbi 300 megavat prodhim që bazohet tek politika jonë e mbështetjes për diversifikimin e portofolit në funksion të sovranitetit të plotë energjetik të Shqipërisë dhe të kthimit të Shqipërisë në një eksportues neto të energjisë brenda mandatit të katërt dhe bashkë me prodhimin që nuk është pjesa e kuadrit të masave tona mbështetëse, ka 500 megavat në total, por më e rëndësishme se kjo, sot në kanalin e investimeve që janë të pritshme bazuar në aplikimet e reja kemi 1300 megavat energji diellore, 1.3 giga. Që do të thotë në total do të arrijmë objektivin e 30 % të prodhimit të energjisë totale nga burime të tjera përveç ujit, kam parasysh diellin, kam parasysh dhe 300 megavat energji ere që janë projekte tanimë ta futura në proces.

Nga ana e saj, zv/kryeministrja Belinda Balluku renditi faktorët më të rëndësishëm që çuan në vendimin për uljen e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.

“Shkaku kryesor i uljes së çmimit të energjisë është për shkak të performancës së kompanive të sektorit. Ulja e humbjeve teknike në 17,93% është një faktor tjetër. Norma e arkëtimit të energjisë së konsumuar ka ardhur në rritje nga viti në vit dhe aktualisht regjistrohet në 100,5%. Kompanitë shtetërore kontribuan ndjeshëm në uljen e çmimit”.  

Gjatë konferencës për mediat, kryeministri tha se në javën e ardhshme, bashkë me zëvendëskryeministren dhe me një delegacion do të shkojmë në Abu Dhabi për një tjetër moment historik jo më të Shqipërisë si Shqipëri për konsumatorët e vet, por Shqipëri si aktor i energjisë në nivel evropian. Mësohet se do të nënshkruhet një marrëveshje trepalëshe mes Emirateve të Bashkuara, Italisë dhe Shqipërisë per linjën e transmetimit nënujor.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat