Shqipëria Postuar më 23 Qershor 2025, 14:19

Çmimi i naftës do të rritet në Shqipëri?! - Ekspertët: Mbyllja e Hormuzit do të shkaktonte inflacion të lartë

Nga Hamit Yzeiraj

Çmimi i naftës do të rritet në Shqipëri?! -

Bota mban frymën për shkak të përshkallëzimit të konflikteve në Lindjen e Mesme, dhe emri më i përmendur në lajmet botërore është ngushtica e Hormuzit.

Kjo rrugë e ngushtë përmes së cilës kalon mbi 20% e naftës botërore, është pranë mbylljes. Një zhvillim i tillë pritet të sjellë një rritje të menjëhershme të çmimit të naftës në botë, por edhe në Shqipëri.

“Kjo është frika më serioze, pasi nëse do të përkeqësohet situata dhe Irani vendos të mbyllë këtë ngushticë, bëhet fjalë për ndërprerjen e 1/5 së furnizimit botëror me naftë dhe 50% e saj është për Europën. Efekti i këtij skenari do të ishte jashtëzakonisht i fortë dhe do të transmetohej në të gjithë botën,” – shprehet eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa.

Në skenarin më dramatik të mbylljes së ngushticës së Hormuzit, çmimi për një fuçi naftë Brent pritet të arrijë deri në 100 dollarë, çka do të sillte ndryshime të thella ekonomike, duke shkaktuar një sërë ngërçesh për sektorët e vendit dhe xhepa më “të brishtë” për konsumatorët.

“Kuptohet, nafta nuk është vetëm energji, por është pjesë e një sërë prodhimesh. Kështu që, kur rritet një element në kosto, rriten menjëherë të gjitha produktet, çka do të rëndonte xhepat e konsumatorëve,” – tregon Zana Guxholli, eksperte për ekonominë.

Shqipëria përjetoi një inflacion të rëndë për shkak të konfliktit disa vite më parë mes Rusisë dhe Ukrainës, çka solli rritje të frikshme të çmimeve, ku edhe çmimi i një litre naftë arriti në 250 lekë. Frika është e njëjtë edhe në këtë rast.

“Efekti i saj në inflacion nuk do të vinte vetëm nga çmimi i naftës, por edhe nga produktet që lidhen me burimet energjetike – duke filluar nga ushqimi, veshjet dhe grupet e tjera zinxhir. Bota do të përjetonte sërish të njëjtin agresivitet inflacioni si në rastin e konfliktit me Ukrainën, çka do të krijonte një skenar shumë negativ," – tregon më tej profesori Xhepa.

Sipas të dhënave nga tregjet ndërkombëtare, çmimi aktual i një fuçie Brent është rreth 77.8 USD, me një rritje prej afro 20% gjatë muajit të fundit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat