Shqipëria Postuar më 20 Mars 2026, 11:12

Çmimi i karburanteve, 8 lekë më lirë - Qeveria vendos uljen e akcizës me 20% dhe ngritjen e Bordit të Transparencës

Nga Elisabeta Dosku

Çmimi i karburanteve, 8 lekë më lirë - Qeveria vendos

Qeveria do të ndërhyjë në tregun e karburanteve duke marrë masa për të mos lejuar rritjen jo normale të çmimeve të naftës dhe benzinës. Konkretisht, akciza mbi naftën do të ulet me 20 për qind. Aktualisht akciza aplikohet në 40 lekë për çdo litër karburant, çka do të thotë se do të ulet me 8 lekë, duke shkuar në 32 lekë/litër.

Kjo është ndërhyrja e parë që do të reflektohet direkt në ulen e çmimit të naftës dhe benzinës në treg me të paktën 8 lekë për litër.

Nga ana tjetër qeveria do të vendosë sërish në funksion Bordin e Transparencës, i cili u krijua për herë të parë në vitin 2022 për të monitoruar çmimet dhe abuzimet që mund të ndodhnin në tregun e karburanteve gjatë konfliktit Rusi-Ukrainë.

Nga ana tjetër janë vendosur edhe marzhe fitimi për pikat e karburanteve që shesin me shumicë dhe pakicë.

Konkretisht 3 lekë/litër do të jetë marzhi i fitimit për pikat e shumicës dhe 12 lekë/litër për pikat e pakicës.

Bordi i Transparencës do të ketë në tagër të vendosë çmime tavan duke marrë në referencë tregjet ndërkombëtare dhe për operatorët që do të abuzojnë dhe do të kryejnë shkelje, paralajmërohet ndëshkim me masa administrative, deri në pezullim licence.

Këto masa merren pas rritjes së çmimit të karburanteve në treg si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme. Më herët është ngritur edhe një Task Forcë e përbashkët midis Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Doganave, e cila po ushtron kontrolle në të gjithë territorin e vendit për të mos lejuar abuzime me çmimet në dëm të konsumatorëve si dhe për të formalizuar sektorin.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat